Siri, OKB “përgjërohet” për fëmijët

18/06/2012 15:35

Kreu i misionit të vëzhguesve të OKB-së në Siri i bëri një apel palëve ndërluftuese që të lejojnë evakuimin e grave, fëmijëve, të moshuarve dhe të plagosurve nga zonat ku po zhvillohen përballje ushtarake.

Gjeneral-majori Robert Mood pranoi se tentativat 1-javore për të nxjerrë civilët nga qyteti i rrethuar i Homsit kanë rezultuar të pasuksesshme.

Homsi, një vatër e kryengritjes në Siri, është qyteti më i dëmtuar në këto 15 muaj trazirash në Siri.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, mbi një mijë familje kanë mbetur në zona ndërluftimi në zonat urbane dhe kanë nevojë urgjente për asistencë.

”Të dyja palët ndërluftuese duhet të vlerësojnë pozicionin e tyre dhe të lejojnë gratë, fëmijët, të rriturit dhe rebelët që të largohen nga zona e luftimeve pa kanosje për jetën e tyre. Është thelbësore që të dyja palët të bien dakord dhe të respektojnë e mbrojnë jetën e qytetarëve të pafajshëm”, theksoi Mood.

Ndonëse një plan armëpushimi i ndërmjetësuar nga Annan në emër të OKB-së në muajin prill është në fuqi, përballjet ushtarake janë intensifikuar, duke degraduar drejt një lufte të plotë civile.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, rreth 15 mijë persona kanë mbetur të vrarë deri tani në vend. Bilancet e aktivistëve e rrisin këtë shifër deri në dy herë më shumë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA