Të gjithë kemi parë kohët e fundit lajmet për Sirinë. Gjendja atje është shumë e rëndë. OKB sapo tërhoqi trupat e saj monituruese për shkak të pasigurisë së theksuar në vend, ndërkohë që fuqitë e mëdha ndërkombëtare janë në konflikt midis tyre për mënyrën e ndërhyrjes, duke lënë krizën siriane që të përshkallëzohet dita ditës.
Sipas raportimeve të OKB-së, mbi 15 mijë persona kanë humbur jetën deri tani në vendin e Lindjes së Mesme. Por, çfarë po ndodh me të vërtetë dhe një nismë krejt e veçantë e ndërmarrë në Shqipëri për t’i ardhur në ndihmë Sirisë u prezantua në “Pasdite” në “Top-Channel” nga një siriane, Aliaa Noha, që jeton prej tetë vitesh në vendin tonë.
Në praninë e një miku dhe bashkëpunëtori shqiptar, Ilir Hoxholli, Noha tregoi më shumë rreth protestës së organizuar prej saj në Tiranë. “Dëshironim të jepnim një mesazh humanitar në mbështetje të popullit sirian”, u shpreh e reja, nënë e dy vajzave që ka vendosur t’i rrisë në vendin tonë. “Siria është shumë larg, por është diçka shumë e rëndësishme që njeriu është kryesori dhe kjo është thirrja jonë. Për mua ishte e vështirë kur vendosa ta bëja, por nuk jam habitur kur gjeta mbështetje të tillë të madhe, pasi shqiptarët e dinë vetë se çfarë është diktatura dhe në vitin 1992 kanë hequr mbase edhe më keq se sa ne”.
Në lidhje me manifestimin e organizuar në sheshin “Skëndërbej”, ku spikati prezenca e disa fëmijëve me flamurë sirianë në duar, Hoxholli shpjegoi: “Në rrjetin social “Facebook”, menduam të bënim një marshim, por në Shqipëri jeton vetëm një komunitet i vogël sirian, prandaj vendosëm për një manifestim. Realizuam një protestë simbolike, për ato vuajtje që po heqin sirianët. Në kushtet në të cilat jetojnë shqiptarët mund të mendohet se protesta është luks, pasi shqitparët kanë shumë halle, por duke qenë se bota sot është shumë e vogël dhe ne e kemi kaluar këtë situatë, mendoj se jemi në gjendje të kuptojmë mirë se çfarë është duke ndodhur në Siri”.
Zoti Hoxholli, në vijim të fjalës së tij shtoi: “Simbolika e protestës është domethënëse pasi bëmë një miniskenë të vogël, me fëmijë të vegjël dhe ndihem mirë pasi tre nga ata fëmijë janë të mitë dhe dua që të rriten edhe me hallet e problemet e të tjerëve. Ata u shtrinë në tokë për Sirinë, së bashku me fëmijët e Alias dhe të tjerë sirianë, duke improvizuar një rënie siç po vriten bashkëmoshatarët e tyre nga bombardimet dhe çetat e Assad”.
E pyetur për protestën dhe situatën në Siri, Noha shtoi: “Mund të kishte patur një pjesëmarrje më të madhe, por shumica e familjeve kishin frikë se po të dilnin në protestë në Tiranë mund të hakmerreshin ndaj të afërmve të tyre në Siri. Aktualisht, gjendja është dramatike. Flasim me vështirësi dhe me kode në telefon, por çdo familje ka ndonjë të ri të vrarë, të dhunuar, të burgosur apo të rrëmbyer”.
Top Channel