Kina mirëpriti vendimin e Filipineve për t’u tërhequr nga një pjesë e diskutueshme në Detin e Kinës së Jugut, duke deklaruar se ky veprim do të ndihmojë në qetësimin e tensioneve.
Manila zyrtare vendosi të tërhiqte dy anije të saj ushtarake nga brigjet pranë Skarborout, ditën e shtunë, duke cituar përkeqësimin e kushteve atmosferike.
Ambasada Kineze në Filipinë bëri me dije në faqen e saj të internetit ditën e dielë se një luftanije kineze ishte dërguar në zonë për të shoqëruar disa peshkarexha.
Kina dhe Filipina janë përfshirë në një betejë diplomatike që prej prillit, në lidhje me disa pretendime territoriale në një zonë detare me kufinj të pacaktuar qartë.
Cekëtira e Skarborout, e njohur ndryshe si Masinlok nga filipinasit dhe si ishujt Huangian nga kinezët, është një burim i vjetër tensioni mes dy shteteve.
Ishujt në fjalë ndodhen 160 kilometra nga brigu më i afërt i Filipineve dhe rreth 800 kilometra nga Kina.
”Pekini i ka kërkuar vazhdimisht filipinasve që të marrin masa për të çtensionuar situatën”, deklaroi zëdhënësi i ambasadës, Zhang Hua. “Në këtë kuadër, tërheqja e dy luftanijeve shpresojmë që do të ndihmojë për të sjellë këtë qetësim të domosdoshëm. Si rrjedhojë e kushteve të vështira atmosferike dhe moskuptimit me Filipinën, për të lejuar peshkatarët tanë që të zhvillojnë punën e tyre në qetësi, në zonë kemi dëguar edhe luftanijen Nanhaiju 115”.
Aktualisht, Kina është e angazhuar edhe në disa konflikte të tjera territoriale me shtetet e tjera që kanë pretendime në Detin e Kinës së Jugut.
Vietnami, Malajzia, Indonezia, Filipinet, Brunei dhe Tajvani janë vendet e tjera që kanë pretendime territoriale apo ujore në zonë.
Top Channel