Liderët e 20 vendeve më të industrializuara të botës dhe të disa prej ekonomive më të mëdha në zhvillim u takuan në Meksikë ditën e hënë, me një debat të përqendruar në masat që mund të merren për të inkurajuar zhvillimin ekonomik botëror.
Zyrtarisht, qëllimi i takimi do të jetë pikërisht hartimi i një platforme për të inkurajuar rikthimin në rritje dhe për të përballuar dobësitë e ardhshme që mund të vijnë si rrjedhojë e problemeve në Eurozonë.
Përpara një takimi mes Obamës dhe presidentit të Kinës, Hu Jintao, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë publikoi një mesazh urimi për udhëheqësin e ri të Greqisë, Antonis Samaras, ndërsa shprehu besimin se Athina zyrtare do të vazhdojë të kërkojë me ngulm gjetjen e një zgjidhjeje.
Përveç bisedimeve për krizën botërore, në qendër të vëmendjes së takimit të G-20 në Los Kabos është edhe takimi midis presidenti të SHBA-ve, Barack Obama dhe presidenti të rizgjedhur të Rusisë, Vladimir Putin.
Në qendër të bisedimeve midis dy liderve pritet të jetë çështja siriane, ku Uashingtoni dhe Moska kanë qëndrime diametralisht të kundërta.
Përpara samitit, Zëvendëskëshilltari i Sigurisë Kombëtare Amerikane, Ben Rhodes, pranoi përpara gazetarëve se SHBA janë duke ushtruar një presion të fortë ndaj rusëve për të ndryshuar pozicionin e tyre.
”Jemi duke punuar për të sjellë rusët në linjë, praktikisht, me të gjithë komunitetin ndërkombëtar”, deklaroi Rhodes. “Kjo nuk është vetëm një çështje midis SHBA-së dhe Rusisë, por një problem serioz i komunitetit ndërkombëtar”.
Pas takimit me Putin, më vonë gjatë së hënës, një tjetër takim shumë i rëndësishëm në axhendën e Obamës është ai me presidentin e Kinës, Hu Jintao, në program për t’u realizuar të martën.
Top Channel