Siri, Homsi nën rebeshin e predhave

17/06/2012 20:05

Homsi është në shënjestrën e bombardimeve të ushtrisë siriane. Aktivistët raportojnë për mbi 1000 familje të bllokuara, në qytetin në qëndër të Sirisë, të cilat duhet të shpërngulen. Videot e aktivistëve të postuara në Internet, dëshmojnë ndërtesat të rrënuara dhe automjete të shkatërruara në lagjen Al Bajada dhe Guta.

Këshilli kombëtar Sirian paralajmëroi për një masaker të mundshme në Homs, i rrethuar nga 30 mijë ushtare dhe milicë shabiha.

Qyteti është një nga vatrat e nxehta të rezistencës kundër rregjimit të Damaskut. Lagjia e Baba Amerit vuajti për thuajse një muaj rrethimin dhe bombardimet e ushtrisë siriane dhe në muajin shkurt u vu nën kontrollin e forcave pro-qeveritare.

Shtetet e Bashkuara nisën konsultimet me aleatët pas pezullimit të misionit vëzhgues të OKB-së në Siri. Gjenerali norvegjez Robert Mood, deklaroi fundin e misionit si pasojë e përshkallëzimit të dhunës.

Zëdhënësi i Ligës Arabe, Ahmad Bin Hilli i tha BBC-së se vendimi është i përkohshëm dhe se operacionet mund të ndërpriten vetëm nga OKB duke u konsultuar me Ligën Arabe. Të martën, gjenerali Mud do t’u raportojë për situatën në Siri, pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, të cilët do të shqyrtojnë hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren për misionin vëzhgues.

Misioni i OKB-së, që përbëhet prej 298 vëzhguesish ushtarakë dhe 118 civilë, u dërguan në Siri për të mbikëqyrur zbatimin e planit të Kofi Anan, i cili parashikonte armëpushimin.

Të shtunën sipas aktivistëve u vranë të paktën 60 persona, në të gjithë vendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA