Francë, balotazhi për Asamblenë Kombëtare

17/06/2012 09:45

Votuesit francezë janë duke hedhur votën e tyre që prej mëngjesit të së dielës në balotazhin e zgjedhjeve parlamentare, që do të përcaktojë anëtarët e Asamblesë së ardhshme prej 577 deputetësh.

Presidenti Hollande, i cili fitoi në zgjedhjet e muajit të shkuar, shpreson në formimin e një shumice të socialistëve, në mënyrë që të vazhdojë reformat e thella që ka parashikuar të realizojë.

Hollande ka premtuar të rrisë punësimet në administratë dhe të përqendrohet tek rritja, më vend të shkurtimeve të kërkuara nga Bashkimi Europian.

Socialistët, së bashku me aleatët e tyre fituan 46% të preferencave në raundin e parë, përballë 34% të partisë “UMP”, të ish-presidentit Sarkozy, përfaqësuese e qendrës së djathtë.

Ajo qe ra ne sy ne zgjedhjet e 10 qershorit ishte pjesëmarrja modeste, me vetëm 57% të 46 milionë francezëve më të drejtë vote që u paraqitën për të regjistruar preferencën e tyre.

Pas raundit të parë, 36 deputetë siguruan vendin në Parlament duke grumbulluar menjëherë më shumë se gjysma e votave.

Në zonat e tjera, të dielën votohet për dy kandidatët që arritën të grumbullonin më shumë vota nga raundi i parë, i njëjti sistem që përdoret edhe në zgjedhjet presidenciale franceze.

Zgjedhjet shihen si përcaktuese për politikat e Hollande, që ka nevojë për një shumicë socialiste në Asamble, për të kaluar një buxhet të reformuar në muajin e ardhshëm.

Në rast të një fitoreje surprizë të krahut të djathtë, të përjashtuar nga sondazhet parazgjedhore, Hollande do të ishte i detyruan të shkarkonte kryeministrin Jean-Marc Ayrault, për të përzgjedhur një kryeministër nga radhët e të djathtëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA