Egjiptianët për të dytën ditë po votojnë për të zgjedhur presidentin e parë, pas Hosni Mubarakut që u rrëzua nga pushteti, në vitin 2011.
Kandidati i Partise për Liri dhe Drejtësi i “Vllazërisë Myslimane” Mohamed Mursi, fitues në raundin e parë përballet me ish-gjeneralin Ahmed Shafiq.
Zgjedhjet zhvillohen pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të shpërndarë Parlamentin, duke i cilësuar zgjedhjet e përgjithshme si të pavlefshme. Kjo shtoi frikën se Këshilli Ushtarak po përpiqet të konsolidojë pushtetin dhe t’i bëjë qëndresë ndryshimeve demokratike, të kërkuara gjatë protestave në “sheshin Tahrir”.
U cilësua si “grusht shteti i bardhë”, i cili mund të kurorëzohet me zgjedhjen e Shafiqit në krye të vendit.
“Vllazëria Myslimane” që kishte fituar 47 % të votave u bëri thirrje egjiptianëve të mbrojnë revolucionin dhe propozoi zhvillimin e një referendumi popullor për vendimin e Gjykatës së Lartë.
Ahmed Shafiq, kryeministri i fundit në epoken “Mubarak”, gjatë fushatës apeloi për kthimin e stabilitetit dhe rendit, cka tërheq jo pak egjiptianë pas disa muajsh trazirash në vend. Kritikët janë të mendimit se ish-oficeri i forcave ajrore gjatë rregjimit të vjetër është “simbol i ditëve autokratike të Egjiptit”.
Mohamed Mursi nga ana tjetër e ka cilësuar veten si revolucionar dhe pjesë e lëvizjes që rrëzoi Mubarakun nga pushteti dhe premtoi reforma politike dhe ekonomike. Analistët thonë se ka më pak entusiazëm në këtë raund, cka parashikon një pjesëmarrje të ulet dhe madje nuk mungojnë as thirrjet për ta bojkotuar e procesit.
Në raundin e parë, ku pjesëmarrja ishte 46 %, rezultatet zyrtare treguan Mursin kryesues me 24.8% të votave, ndërsa Shafiq me 23.7 %. Rezultatet përfundimtare priten më 21 Qershor.
Top Channel