Suu Kyi merr Nobelin pas 21 vjetësh

16/06/2012 16:20

Birmania është në rrugën drejt demokracisë, por është e nevojshme vendosja e një besimi “jo të verbër” në të ardhmen e saj, edhe sepse ka ende shumë pengesa, konflikte, të burgosur të ndërgjegjes dhe refugjatë.

Kështu ka deklaruar Aung San Suu Kyi, liderja e opozitës së Birmanisë, që sot në Oslo ka tërhequr çmimin Nobël për Paqen që iu dha 21 vjet më parë, kur ishte ende në fillim të arrestit të gjatë të shtëpisë.

E emocioniar, por si zakonisht karizmatike, Zonja, e veshur me një komplet tradicional birman dhe e pritur me duartrokitje, ia ka atribuar çmimin meritës së “kthimit në realitet” kur ishte detyruar të qëndronte në burgim nga junta ushtarake në vitin 1991, dhe në veçanti kthimit të vëmendjes së botës tek lufta për demokraci në Birmani.

Fjalimi i saj ishte idealist, por herë pas here me thekse pragmatike: “Paqja absolute është një objektiv i paarritshëm, por duhet të vazhdojmë ta ndjekim si një udhëtar në shkretëtirë që ecën duke ndjekur yllin si pikë referimi”.

Suu Kyi, që pas tre ditësh bën 67 vjeç, ka pranuar progreset e kryera së fundmi me reformat nga presidenti i Birmanisë, Thein Sein, “të cilat më mundësuan të jem këtu sot”, tha ajo.

Më tej Suu Kyi ka prekur edhe temën e numrit të lartë të të burgosurve politikë, pavarësisht lirimit të qindrave prej tyre në muajt e fundit. “Edhe vetëm një i burgosur i ndërgjegjes është shumë”, ka shtuar ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA