Siri, OKB pezullon misionin vëzhgues

16/06/2012 14:45

Kreu i misionit të vëzhguesve të Kombeve të Bashkuara në Siri, norvegjezi Robert Mood njoftoi pezullimin e punës së këtij misioni për shkak të përshkallëzimit të dhunës që u rrezikon jetën edhe të dërguarve ndërkombëtarë.

Të premten, Mood deklaroi se kishte një mungesë të thellë vullneti si nga qeveria ashtu edhe nga forcat qeveritare për t’i dhënë fund konfliktit e për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.

“Dhuna gjatë 10 ditëve u intensifikua me vullnetin e të dy palëve, pati humbje në të dy anët dhe rreziqe të mëdha për vëzhguesit tanë. Populli sirian, civilët po vuajnë dhe në disa zona ata kanë mbetur të bllokuar si pasojë e operacioneve luftarake që nuk rreshtin”, shtoi Mood.

Të enjten burime jo zyrtare raportuan për mbi 14. 400 të vrarë gjatë 15 muajve të konfliktit. Tashmë flitet për bilancin e rënduar të refugjatëve sirianë në Turqi. Janë mbi 31 mijë. Shifra u publikua nga Ministria e Jashtme turke. Turqia, dikur një vend aleat me Sirinë, ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me regjimin e Bashar Al Asadit dhe strehon aktualisht një numër të madh të drejtuesve të opozitës siriane.

Nga ana tjetër, Human Rights Watch në raportin e saj, shkruan se milicitë pro-qeveritare kanë përdhunuar barbarisht në grup gra dhe vajza, disa prej  të cilave nën 12 vjec, gjatë operacioneve në zonat e banuara.

Ndërkohë, në rrafshin ndërkombëtar, pavarësisht përshkallëzimit të dhunës dhe raportimeve për krime monstruoze në terren, Rusia vazhdon qendrimin e saj kundër ndërhyrjes së jashtme dhe shprehet e vendosur të bllokojë në Këshillin e Sigurimit çdo lloj rezolute që parashikon ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA