Obama: Ekonomia jonë s’po rritet sa duhet

16/06/2012 15:25

Ekonomia amerikane është kthyer tek rritja pas krizës më të keqe ekonomike që nga koha e Depresionit të Madh, por nuk po rritet mjaftueshëm.

Kështu ka deklaruar presidenti amerikan Barack Obama në fjalimin e përjavshëm, ku ka vënë në dukje edhe ngadalësinë e krijimit të vendeve të punës.

Obama ka nënvizuar se ekonomia amerikane po ecën në drejtim të kundërt të erës, duke iu referuar përballjes me rritjen e çmimit të karburanteve dhe krizën ekonomike në Evropë.

Më herët gjatë muajit Obama e drejtoi gishtin pikërisht tek kontinenti i vjetër, kur deklaroi se liderët evropianë duhet të marrin vendime të vështira për të nxjerrë eurozonën nga kriza.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, zoti Obama tha se Amerika do ta mbështesë Evropën në implementimin e zgjidhjeve të vështira që duhen për t’i dhënë fund krizës së gjatë të borxheve.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara vlerësoi se një reçesion i ri dhe i thellë në Evropë do të kishte një impakt të fortë tek ekonomia amerikane, që vlerësohet të jetë ende e brishtë.

“E ardhmja e Greqisë në eurozonë është një çështje që u takon grekëve, por ata do të përballen me vuajtje të tjera nëse vendosin të heqin dorë nga euroja”, u shpreh më tej Obama.

Ndër të tjera, ai përsëriti thirrjen drejtuar Kongresit amerikan që të kalojë pjesën e mbetur të planit të tij të punës, në mënyrë që të përforcojë ekonominë amerikane kundrejt tronditjeve që mund të vijnë nga Evropa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA