
Rupert Murdoch i telefonoi Tony Blair duke i kërkuar që të mos e shtynte nisjen e operacioneve ushtarake në Irak në vitin 2003.
Zbulimi është bërë nga Alastair Campbell, ish-shefi i komunikimeve i ish-kryeministrit britanik, në ditarin e tij që po publikohet nga e përditshmja “The Guardian”.
Sipas Campbell, ka pasur tre telefonata në mars të vitit 2003, domethënë një javë përpara se të mbahej votimi kryesor i Dhomës së Parlamentit mbi Irakun.
Nga ana e saj, “News Corporation”, shoqëria e manjatit australian Rupert Murdoch, përgënjeshtron kategorikisht lajmet duke i cilësuar ato si “mbeturina”.
Ish-kryeministri britanik dëshmoi në fund të muajit të kaluar në komisionin parlamentar për skandalin e përgjimeve, por dëshmia e tij u ndërpre pasi një protestues arriti të hynte në sallë duke shkaktuar kaos.
Protestuesi 49-vjeçar e cilësoi Blair “kriminel lufte” për pushtimin e Irakut, deri sa rojet e sigurisë e nxorrën me forcë për ta çuar në një stacion policie në qendër të Londrës.
Blair tha se nuk kishte pasur ndonjë marrëveshje mes tij dhe manajtit të medias, që media e Murdoch ta mbështeste atë. Megjithatë, ai shtoi se:
“Kur je udhëheqës politik dhe kur ke grupe të fuqishme mediatike dhe i prish marrëdhëniet me një nga këto grupe, pasojat janë të tilla që efektivisht të bllokohet përçimi i mesazhit tek publiku”.
Top Channel