Monti: Italia do t’ia dalë mbanë

16/06/2012 17:10

“Merkel thotë se Italia do t’ia dalë mbanë, por Italia do t’ia dalë jo vetëm sepse kështu thotë Merkel. Ne do t’ia dalim mbanë vetë”.

Deklarata është bërë nga kryeministri italian Mario Monti, gjatë një seminari mbi ekonominë të mbajtur të shtunën në qytetin e Bolonjës.

“Një nga arsyet përse luftoj është që Italia të kontribuojë në riafirmimin e Evropës dhe sepse ne kemi nevojë më shumë se të tjerët, jo sepse jemi më të dobët, por sepse shohim pak nga e ardhmja”, ka thënë Monti.

“Ndodhemi në një situatë ende të rëndë dhe menaxhimi i kësaj situate duke bërë politika të orientuara drejt së ardhmes shpesh herë na mungon, sepse emergjenca fiton epërsi”, ka vijuar kryeministri.

Ai është shprehur se, vështirësitë për të ardhmen e Italisë janë sepse në të kaluarën Italia ka menduar shumë pak për të ardhmen e saj.

“Megjithatë, unë jam optimist për të ardhmen e Italisë, pavarësisht vështirësive. Por do të bëhesha pesimist nëse Evropa do të shpërbëhej”, ka shtuar Monti.

Kryeministri i Italisë ka thënë se do të niset i qetë drejt Meksikës, ku do të nisë punimet samiti i vendeve të G20-ës, ndryshe nga samiti i ndjekur nga parardhësi i tij në Kanë.

“Tani ne jemi mes atyre vendeve që pyeten se si mund të përmirësohet Evropa dhe jo se sa lekë keni nevojë t’ju japim. Duhet kohë, por unë shoh disa spirale për të dalë nga kriza”, ka deklaruar Monti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA