Egjiptianët do t’u drejtohen kutive të votimit të shtunën dhe të dielën për të zgjedhur presidentin e parë nga vota e tyre e lirë.
Në garë janë dy kandidatë, Mohamed Mursi nga koalicioni Liri dhe Drejtësi, i udhëhequr nga Vëllazëria Muslimane dhe Ahmed Shafiq, kryeministri i fundit i regjimit të ish-presidentit Hosni Mubarak.
Situata në vendin e madh të Lindjes së Mesme nuk është aspak premtuese për një normalizim të shpejtë. Disa parti dhe aktivistë të të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje për bojkot të procesit zgjedhor pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të lejuar Shafiq, ish-figura e lartë e regjimit Mubarak, për të kandiduar për president.
Në Kajro kanë rinisur tubimet masive pas vendimit të Gjykatës, që përvec lejimit të Shafiq për të kandiduar, shpërndau edhe parlamentin e dalë nga zgjedhjet e fundit. Vendimi i gjykatës konsideronte ligjin elektoral me të cilin u mbajtën zgjedhjet e para të lira legjislative si anti-kushtetues.
Vëllazëria Muslimane, partia që mori numrin më të madh të mandateve kundërshton vendimin dhe ka paralajmëruar protesta masive. Kundër vendimit janë shprehur edhe radikalët salafitë, të dytë në zgjedhjet e fundit.
Por pavarësisht pretendimeve, Këshilli Suprem Ushtarak, që u rikthye në pushtet pas vendimit të gjykatës për të shpërndarë parlamentin, shprehet i vendosur për të mbajtur zgjedhjet presidenciale dhe ka premtuar delegimin e pushtetit më datë 1 korrik tek presidenti që do të dalë pas këtyre zgjedhjeve.
Top Channel