
Policia në Japoni vendosi në pranga eksponentin e fundit në arrati të kultit “Aum Shinrikyo”, që në vitin 1995 organizoi në emër të besimit të tyre fetar një sulm me gaz vdekjeprurës në metronë e Tokios.
Katsuya Takahashi, i arrestuar pas 17 vitesh në kërkim, besohet se ishte një prej organizatorëve të sulmit në fjalë, që vrau 13 persona dhe plagosi mbi 6 mijë të tjerë, qindra prej të cilëve nuk u kuruan kurrë plotësisht.
Ishte policia ajo që publikoi lajmin ditën e premte, pasi më parë kishte realizuar verifikimin e identitetit të terroristit.
54-vjeçari do të gjykohet për përgjegjësinë e tij dhe nëse do të shpallet fajtor, rrezikon të dënohet me vdekje ashtu si anëtarë të tjerë të kultit.
Dy pjestarë të tjerë të sektit “Aum” u vendosën në pranga në muajt paraardhës dhe besohet se ata kanë luajtur rol në identifikim dhe prangosjen e Takahashit.
Mbi 200 anëtarë të sektit janë dënuar në vitet e shkuara në lidhje me sulmin me gazin vdekjeprurës të quajtur sarin. 13 prej tyre kanë marrë ndëshkimin maksimal, duke u dënuar me vdekje.
”Aum Shinrikyo” ishte një grup fetar ku gërshetohej besimi hindu me atë budist, por lideri i tij, Shoko Asahara, zhvilloi një paranojë gjithmonë e më të theksuar për fundin e botës dhe nisi të organizonte sulme terroriste, më i njohuri prej të cilëve mbetet ai me gaz në metronë e mbipopulluar të kryeqytetit Tokio.
Top Channel