
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, vendosi në pikëpyetje të thellë fushatën për arrestimin e “Zotit të Luftës”, Joseph Kony dhe shkatërrimin e ushtrisë së tij rebele, duke thënë se Bashkimi Afrikan ka mungesë të theksuar trupash, ushqimesh dhe mjetesh financiare për të financuar operacionet.
Në një raport prej 14 faqesh drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Ban i kërkoi vendeve më të fuqishme në botë që të ofrojnë ndihmën e tyre, ndërsa theksoi se vetëm trupat e një koalicioni të superfuqive botërore ka shanse reale në eleminimin apo prangosjen e një prej njerëzve më të kërkuar në botë.
”Nisma e Bashkimit Afrikan për kapjen e Konyt vuan nga mungesa e theksuar e fondeve dhe kapaciteve ushtarake. Pa resurset e nevojshme, BA do ta ketë të pamundur të përmbushë këtë detyrë thelbësore për sigurinë në Afrikë”, shkruhej në një pjesë të raportit të kreut të OKB-së.
Bashkimi Afrikan vendosi si një prej përparësive të tij kapjen e Konyt, duke krijuar një trupë prej 5 mijë ushtaresh për ta luftuar, pasi rikthimi i rebelizmit të tij në mars la dhjetëra të vdekur e mbi 450 mijë persona të zhvendosur nga Uganda, Sudani i Jugut, Republika Demokratike e Kongos dhe Republika Afrikane Qëndrore.
Kony është i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Një dokumentar i famshëm tregoi më parë gjatë vitit se si ushtria e rebelit përdorte forcën për të rektrutuar fëmijë në radhët e saj dhe i përdorte më pas si ushtarë apo skllavë seksualë.
Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, dërgoi 100 trupa në 2011-n në Afrikë në përpjekje të organizimit të një ndjekje më efikase ndaj Konyt, por problemi i mungesës së financimeve ka bllokuar për momentin luftën ndaj të shumëkërkuarit.
Top Channel