Pak kohë më parë, një tërmet me forcë mesatare goditi Tiranën, ndërsa Italia sapo përjetoi një valë lëkundjesh që lanë pas me dhjetëra të vdekur.
Gjithashtu, çdo ditë nga mediat e bombardohemi me informacione me aksidente, fatkeqësisht shumë prej të cilave me pasojë fatale për shumë prej atyre që janë të përfshirë në to.
Por, si mund të mbijetojmë në rastet ekstreme që mund të paraqitet çdo ditë papritmas, kudo që ndodhemi gjatë jetës sonë. Emisioni i “Pasdites” në “Top-Channel” prezantoi dy ekspertë të fushës së mbijetesës dhe një të ri që tregoi përvojën e tij, gjatë serisë së ditës së mërkurë.
I pari që tregoi përvojën e tij ishte Fatjon Plaku, alpinist në ekipin e ekspeditës që ngjiti “Everestin” dhe që ngriti për herë të parë flamurin në “çatinë e botës”.
“Ishte një nga eksperiencat më të vështira që kam kaluar, pasi ajo e Everestit është ekspedita më e gjatë bashkë me Polin e Veriut. Ekipit tonë i zgjati dy muaj dhe është diçka e rrallë, pasi ne për herë të parë synuam majën më të lartë të botës dhe synimi ynë ishte të ngrinim flamurin shqiptar për herë të parë në histori, duke përshëndetur shqiptarët me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë”, nisi rrëfimin e tij Plaku.
“Ngjitja e Everestit fillon me aklimatizimin e trupit për shkak të mungesës së oksigjenit, proces që zgjat pothuajse 35-40 ditë, periudhë e gjatë dhe e vështirë, pasi çdo alpinist duhet të ngjitet të paktën në 7400 metra për këtë përshtatje, për të bërë më të lehtë më pas ngjitjen deri në majë. Vështirësitë ishin të shumta sepse kishim të bënim me akull dhe shkëmbinj dhe një pjesë e mirë duhet të ngjiteshe mbi shkëmb me kthetra, që janë disa pajisje hekuri që montohen në këpucë që të mos rrëzohesh në akull pasi pjesa më e madhe e sipërfaqes është akull i presuar”.
Duke u ndalur në përvojat më ekstreme në këtë ngjitje epike, alpinisti shtoi: “Patëm disa momente të rrezikshme gjatë ngjitjes për në majë sepse ajo fillonte gjatë natës, në 11 të natës me orën kineze. Nisjen drejt majës e nisëm nga 8 300 metra dhe unë pata probleme në 8600-8700 metra, pasi ngjitja në shkëmb u bë shumë e vështirë dhe më ra një shkëmb e u mbajtja në litar, pasi u ngjitëm nga ana veriore, më e vështira krahasuar me jugoren, që teknikisht është më e lehtë, por fizikisht më e vështirë. Në lartësinë e 8300 metrave deri në majë, që quhet zona e vdekjes, pamë të paktën 15 trupa alpinistësh që kishin vdekur në këtë lartësi. Tre veta humbën jetën një javë përpara nesh dhe ishin momente të vështira. Aksidentet ndodhin më shumë në kthim, pasi shkon në majë me 16-20 orë ecje e në kthim je në grahmat e fundit të energjisë. Çelësi i suksesit janë mjetet dhe ushqimi. Mjetet i kishim të gjitha me vete, nga markat më të mira sepse vetëm doreza vishen katër palë. Në 7 800 metra është e domosdoshme të kesh edhe bombula oksigjeni, ndërsa kishim me veta disa konserva tepër kalorifike, të domosdoshëm për të përballuar një ndërmarrje të tillë”.
Midis të ftuarve, ishte edhe Florian Merepeza, përfaqësues i “Albanian Bushcraft Survival” ose i asaj praktike që të mëson mbijetesën në kushtet e zakonshme që të ofron natyra.
“Përveç mbijetesës nga rreziqet më evidente, kryesorja është të sigurosh ushqimin dhe ujin në rastet kur duhet të mbijetosh. Në natyrën shqiptare mund të gjesh shumë gjëra për të ngrënë, si breshka, shpendë, lepur, gjarpërinj, krimba, insekte të tjera. Jo vetëm trajnimi bushcraft, por mendoj se çdo njeri duhet të dijë pak për mbijetesë pasi të gjithë udhëtojmë dhe të gjithë mund të përballemi me situata të papritura. Nëpërmjet këtyre aftësive jo vetëm i shpëtojmë jetën vetes, por shpëtojmë edhe jetë të tjera. Në këtë aspekt, kryesorja për të mbijetuar është që përpara çdo ndërmarrje, secili të përgatitet si duhet, me pajimet dhe veshjen e posaçme”, tha Merepeza.
Ishte pikërisht mungesa e pajimeve të duhura ajo që vendosi në rrezik jetën e tre adoleshentevëe, siç tregoi Denis Muskaj, një i ri amator, i apasionuar pas ekspeditave. “Në 25 dhjetor u nisëm për në majën e malit të Fagut. U nisëm nga 400 metra, mali është i lartë 1 300 metra. Kishte shumë dëborë, por kisha një palë këpucë të reja dhe m’u bënë këmbët me flluska, prandaj u bë shumë e vështirë të ecja. Ne bëmë gabim se nuk morëm radhë që të ecnim mbi borë, që ishte shumë e butë dhe nuk çahej. Nuk isha vetëm dhe ky ishte favori më i madh, isha me dy shokë dhe gjëja më e rëndësishme nuk ishte ngjitja që na shkoi pesë orë, por zbritja sepse edhe dita ishte shumë e shkurtër. U hodhëm nga një vijë uji shumë e pjerët, shumë e vështirë, por kaluam me sukses dhe kur shkuam tek makina që lamë mjetet, shkuam me natë. Frika ishte gjatë të gjithë kohës bashkëudhëtare, edhe sepse në botë kishte gjurmë ujqërish e arinjsh. Në fund kishim vetëm disa plagë të vogla dhe gjithçka mbahet mend si një aventurë, por rrezikuam me të vërtetë shumë, duke u nisur në atë ekspeditë ashtu të papajisur si duhet”, deklaroi Muskaj.
Top Channel