Turqia lejon gjuhën kurde në shkolla

12/06/2012 17:10

Ankaraja synon të zbusë tensionet me minoritetin që përbën 20% të popullsisë

Për herë të parë në histori, Turqia do të lejojë që gjuha kurde të mësohet në shkollat e vendit si një lëndë me zgjedhje.

Deklarata u bë nga kryeministri Recep Tayyip Erdogan, gjatë punimeve të qeverisë, ditën e martë.

Erdogan deklaroi përpara parlamentit se një vendim i tillë përbënte një “hap historik”. Gjuha kurde u fut në universitete në vitin 2009, por deri më sot ndalohej të mësohej në sistemin parauniversitar.

Turqia lufton prej dekadash me rebelët kurdë në jug të vendit, disa prej të cilëve kërkojnë shkëputjen nga territori i vendit dhe themelimin e një shteti të pavarur, por shumica e popullsisë kurde, prej kohësh kufizohet me kërkesat për më shumë autonomi dhe respektim të të drejtave kulturore dhe arsimore të tyre.

Në bazë të vendimit të ri, leksionet në gjuhën kurde do të lejohen për të gjitha shkollat në vend, nëse do të ketë kërkesa të mjaftueshme për të formuar të paktën një klasë me nxënës.

Me dhjetëra mijëra persona janë vrarë në luftimet 30-vjeçare të ushtrisë turke me Partinë Popullore Kurde, një organizatë që zhvillon një luftë të armatosur separatiste.

Lajmërimi i Erdogan synon të reduktojë tensionet me popullsinë kurde, që është pakica më e madhe në vend, duke u vlerësuar në rreth 20% të popullsisë së përgjithshme.

Së fundmi, tensionet midis qeverisë qëndrore dhe kurdëve u provokuan nga burgosja e një deputete kurde, Leyla Zanës, për propagandë anti-qeveritare. Ajo u dënua me dhjetë vjet burgim, që do të nisë t’i vuajë pasi të përfundojë mandidati i saj si depuetete, pasi aktualisht mbrohet nga imuniteti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA