Subjekti i tretë politik parlamentar në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje feston shtatë vjetorin e themelimit të saj. Në një kohë kur klasa politike përgatitej për të negociuar për statusin e Kosovës në Vjenë, me 12 qershor të 2005 u realizua një aksion kundër këtij procesi dhe u shkrua për herë të parë parulla “Jo negociata Vetëvendosje”.

Duke e vlerësuar Lëvizjen Vetëvendosje si infrastrukturë të hapur për ata që duan të lëvizin, lideri i saj tha në një konferencë për media shtoi se Lëvizja Vetëvendosje nëse nuk e ka ndalur të paktën e ka ngadalësuar të keqen. Ai përsëriti edhe kërkesën për largimin e qeverisë së kryeministrit Hashim Thaci.

“Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje do të jetë fitore e konceptit të saj, që nënkupton edhe vetëvendosje në pushtet. Ne po përpiqemi që kjo të ndodhë sa më shpejt sepse cdo ditë me këtë regjim, me këtë qeveri, është ditë e humbur për qytetarët e Kosovës dhe përfitim vetëm për pushtetarët që u janë sipërvendosur atyre. Jemi i vetmi subjekt që kemi kërkuar vazhdimisht dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohëshme”, deklaroi kreu i VV, Albin Kurti.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve nëse Vetëvendosje ka ndryshuar koncept pasi është bërë pjesë e institucioneve, Kurti tha se Vetëvendosje e kundërshton planin e Ahtisarit ashtu sic e ka bete para gjashtë vitesh.

“Edhe njëherë, deputetët e Vetëvendosjes e kanë diskursin politik të njejtë politik, deputetët e Vetëvendosjes nuk janë pasuruar edhe pasi janë bërë deputetë, deputetët e Vetëvendosjes janë besnikë ndaj metodës së veprimit jashtë institucioneve edhe atëherë kur ata vetë ndodhen brenda institucioneve”, shtoi lideri Albin Kurti.

Për tërë këto vite ky subjekt tashmë edhe pjesë e institucioneve, ka organizuar dhjetra demonstrata gjithë-popullore, qindra aksione e aktiviteteve të ndryshme protestuese. Në shumicën prej tyre është kundërshtuar fuqishëm Plani i Ahtisarit pasi sipas Vetëvendosjes një plan i tillë ndan Kosovën në vija etnike territoriale. Lëvizja Vetëvendosje deklarohet edhe kundër privatizimit të egër, siç e quajnë, të ndërmarrjeve publike.

Ndërkaq viti 2012 i Vetëvendosjes ka nisur me protestat kundër importit të produkteve nga Serbia.

Top Channel