Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në 13-vjetorin e hyrjes së KFOR-it  në Kosovë  bllokuan të martën për gjysmë ore autostradën Prishtinë – Fushë Kosovë, në shenjë revolte për gjendjen aktuale në veri dhe mosefikasitetin e KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës për të kthyer kontrollin në atë pjesë.

Me gjithë kolonat e gjata, që u krijuan nga kjo bllokadë dhe kërkesat e policisë së Kosovës për ta liruar rrugën, protesta vazhdoi. Veteranët e UÇK-së qëndruan në mes të rrugës, për gjysmë ore, aq sa ishte parashikuar zgjatja e protestës.

Muharrem Xhemajli, kryetar i OVL-së së UÇK-së ka thënë se veteranët e UÇK-së kanë vendosur, që në vend të festës së 13-vjetorit të hyrjes së KFOR-it në Kosovë, të protestojnë. Ai ka thënë se edhe 13 vjet pas hyrjes së KFOR-it dhe katër vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka një situatë pushtimi në veri të vendit dhe se strukturat e Serbisë në atë pjesë, asnjëherë nuk kanë pushuar së vepruari.

Sipas tij,  KFOR-i, EULEX-i, UNMIK-u dhe institucionet vendore, me mosveprimin e tyre lejuan funksionimin normal të këtyre strukturave, të cilat vazhduan traditën kriminale dhe genocidet e Millosheviçit.

Veteranët e UÇK-së kanë pohuar se do të vazhdojnë të vëzhgojnë situatën në vazhdimësi, duke u bërë me dije të gjithëve, se ata nuk do të rrinë duarkryq.

Top Channel