Farmacitë nuk do të lejohen më që të punësojnë studentë apo njerëz të tjerë që tregtojnë medikamente. Urdhëri i Farmacistëve deklaron se në shumë farmaci nuk ka farmacistë, por veterinerë që shesin medikamente.
Ndaj për këtë, një strukturë e mbikëqyrjes profesionale që ndodhet pranë Urdhërit të Farmacistëve do të bëjë një monitorim në të gjitha farmacitë e vendit, për të larguar ata që në profesion nuk janë farmacistë.
“Kur të shkojë në farmaci, çdo pacient të ketë një farmacist përpara, sepse shpesh nuk janë të tillë. Farmacisti e ka të drejtën ta ushtrojë profesionin dhe askush tjetër. Kush punon në farmaci duhet të ketë kartën e Urdhërit të Farmacistit. Kush shkon në farmaci të identifikohet me kë po kryen shërbimin. Kjo bëhet përmes kartës”, deklaron Arjan Jaupllari nga Urdhëri i Farmacistëve.
Sipas Jaupllarit, do të shtohet bashkëpunimi me Qendrën e Kontrolit të Barnave dhe Ministrinë e Shëndetësisë, që nëpërmjet ndëshkimeve të duhura farmacistët të mos lejohen të japin medikamente pa recetë, për më tepër antibiotikët që farmacistët përcaktojnë dozën dhe kohën e marrjes së tyre pa u vënë në dijeni nga mjeku.
Top Channel