
Bombat mbi Homs bien cdo 15 sekonda, një tjetër pohim i qartë i faktit që dhuna në vend jo vetëm nuk po njeh frenim, por përkundrazi ka pësuar një përshkallëzim shqetësues, sic e cilëson i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Kofi Anan.
35 persona, shumica civilë u vranë të dielën, duke e rënduar edhe më shumë bilancin e jetëve të humbura që nga fillimi i trazirave. Ushtria e Bashar al-Assadit, po bombardon papushim Rastanin në provincën e Homsit, rajonin e Hefas në Latakia, zonat pranë Idlibit dhe lokalitetin Ashara në provincën lindore Deir al-Zur. Pamjet filmike konfirmojnë pohimet e aktivistëve.
Anan u shpreh thellësisht i shqetësuar nga situata në terren, e cila vazhdon të rëndohet pavarësisht armëpushimit të vendosur në 12 prill, por që praktikisht, nuk u respektua. Në një deklaratë nga Gjeneva, ai kërkoi t’i jepet menjëherë leje vëzhguesve ushtarakë të OKB-së për të hyrë në qytetin Al Hafa, ku shumë civilë mendohet të jenë bllokuar pa asnjë rrugëdalje.
Regjimi, thotë aktivisti Rami Abdul Rahman, është duke përdorur helikopterët pas humbjeve të rënda të trupave në terren. Sipas tij, që nga fundi i majit dhjetra automjete ushtarake janë shkatërruar apo dëmtuar.
Abdelbaset Sayda, kurdi që zëvendësoi Burhan Ghalioun-in në krye të Këshillit Kombëtar Sirian, thotë se organizmi që ai ka nisur të drejtojë nuk kërkon luftë apo ndërhyrje nga jashtë. Është regjimi, shprehet ai, që po e shtyn vendin drejt konfliktit. Qëllimet tona janë paqësore, por veprimet e qeverisë tregojnë se politikat e saj janë të qarta: t`i vërë flakën këtij vendi e të shfarosë kundërshtarët.
Korespondenti i BBC-së në Libanin fqinj pohon sakaq se ka patur një numër të konsiderueshëm dezertimesh. Të dielën, në bazën ajrore në veri të Homsit një njësi prej 100 vetash vendosën të largohen në masë nga radhët e ushtrisë pasi kjo e fundit dërgoi helikopterët për të shkatërruar bazën, që të parandalonte rënien e raketave të saj në duart e rebelëve.
Top Channel