Siri, rebelët thirrje funksionarëve: Dezertoni!

11/06/2012 00:00

Shefi i sapozgjedhur i organizatës më të rëndësishme opozitare në Siri, Këshilli Kombëtar Sirian, i bëri një thirrje të gjithë funksionarëve dhe qeveritarëve të lartë që të dezertojnë dhe të bashkohen me lëvizjen e tij.

Duke folur nga Stambolli, Abdelbaset Sayda, ritheksoi qëndrimin kundër një ndërhyrje të armatosur të jashtme ndaj regjimit të Bashar al-Assad, përsa kohë kjo ndërhyrje nuk do të jetë e sanksionuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Sayda, një kurd, zëvendëson në këtë detyrë Burhan Ghalioun, që dha dorëheqjen pasi nuk arriti të bashkonte lëvizjen opozitare në një të vetme. Ai drejtoi KKS-në nga muaji shtator, deri në fund të majit.

”Ne nuk jemi duke kërkuar që të organizojmë një pushtim të huaj ndaj vednit tonë. Nëse kjo do të ndodhë, do të shkaktohet nga masakrat brutale dhe kokëfortësia e regjimit për të mos pranuar asnjë reformë demokratike, ndërsa thellohen plagët e luftës e të një vendi që lëngon i gjithi. Qëllimet tona janë paqësore, por ky regjim kafshëror vazhdon të mohojë të drejtat tona, ndonëse vetëm për pak kohë, pasi orët e al-Assad në pushtet janë të numëruara”, deklaroi Sayda në konfererëncën për shtyp.

Ndërkohë, dhuna në Siri vazhdon të intensifikohet, teksa disa dhjetëra persona mbetën të vrarë vetëm gjatë fundjavës.

Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në 15 muaj të luftës civile, më shumë se 10 mijë sirianë kanë mbetur të vrarë, ndonëse vlerësime të tjera e ngrenë këtë shifër deri në dy herë më të lartë.

Top Channel