
Gazetarët në Maqedoni kanë protestuar të hënën para Gjykatës Themelore në Shkup. Protesta është organizuar nga Shoqata e Gazetarëve, për shkak të pakënaqësisë nga gjykatat në vend që vazhdimisht po e ashpërsojnë qasjen ndaj gazetarëve në çështjet gjyqësore për fyerje dhe shpifje.
“Ne jemi të bindur se numri i madh i padive kundër gazetarëve, kompensimet e larta për shpifje, procedurat joefikase dhe të tejzgjatura mund të zgjidhen shumë thjeshtë duke zbatuar praktikën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut”, deklaron Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni.
Gazetarët vlerësojnë se gjykatat në Maqedoni ballafaqohen me një presion të theksuar që vjen nga strukturat politike dhe qeveritare të cilat shfrytëzojnë sistemin gjyqësor për të bërë presion mbi median.
“Fakti që në Maqedoni momentalisht ka mbi 300 padi kundër gazetarëve është precedent absolut në Europë. Kjo është kundër të gjitha rekomandimeve dhe direktivave të Komisionit dhe Këshillit Europian dhe llogaritet si presion i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias”, thotë Sinkron; Sasho Ordanovski, gazetar.
“Protesta e sotme tregon se ka potencial dhe ka një kohezion mes gazetarëve. Tregon se të gjithë pajtohen se kjo gjendje nuk është e durueshme më dhe se duam të shohim përmirësime dhe të aplikohen të gjitha ato standarde ndërkomëbtare”, shton gazetari Petrit Saraçini.
Protesta e gazetarëve vjen në një kohë kur bisedimet mes qeverisë dhe Shoqtatës së Gazetarëve për dekriminalizimin e shpifjes kanë hyrë në krizë. Pas vitit 2006, në të gjitha raportet ndërkombëtare për Maqedoninë është shmangur se liria e shprehjes në këtë vend, shënon ulje të vazhdueshme.
Top Channel