Rusi, policia bastis rivalët e Putin

11/06/2012 16:15

Policia në Moskë bastisi të hënën shtëpitë e disa udhëheqësve të opozitës, në prag të një proteste të planifikuar anti-qeveritare, lajmëruan disa agjensi lajmesh.

Krijuesi i një faqeje të rëndësishme opozitare, Alexei Navalny dhe aktivistët e njohur Sergei Udaltsov e Ilya Yashin ishin midis objektivave të vendosur në shënjestër të policisë.

Midis të hetuarve janë vendosur edhe familjarët e disa aktivistëve që u ballafaquan fizikisht me qeverinë në një protestë të mëparshme, në datën 6 maj.

Në një mesazh në rrjetin shoqëror “Twitter”, Navalny e përshkroi operacionin e policisë si “të shkëlqyer”. Me doza të qarta ironie, ai shtoi: “Ishte e pamundur që t’u shpëtonte gjë pa kontrolluar në banesën time. Pothuajse më shpërthyen derën, ndërsa më kthyen përmbys të gjithë shtëpinë. Gjithashtu më sekuestruan kompiuterin, të mbushur me fotot e fëmijëve dhe familjarëve të mi”.

Sipas radios “Moscow Echo”, në shënjestrën e policisë u vendos edhe Ksenia Sobchak, një prezantuese e famshme televizive që iu bashkua lëvizjes anti-qeveritare në muajin dhjetor.

Ditën e premte, presidenti Vladimir Putin firmosi një ligj të ri që rriste në mënyrë drastike gjobat për të gjithë ata që marrin pjesë në protesta të paligjshme, në atë që u interpretua si një tentativë e qartë për të shtypur lëvizjen civile në vend.

Me qindra mijëra rusë janë bërë protagonistë në protesta të ndryshme që prej shkurtit, duke shprehur pakënaqësinë e tyre pas parregullsive të shumta të ndodhura në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare, në fillim të vitit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA