Ministri i Brendshëm kosovar, Bajram Rexhepi ka deklaruar se vendimi për sekuestrimin e targave që nuk mbajnë stemën “KS” ose “RKS” ka nisur të zbatohet që nga fillimi i muajit.
I cituar nga “RTK”, Rexhepi ka nënvizuar se ky vendim është shtrirë në të gjithë territorin e Kosovës dhe nuk do të tolerohet askush që e shkel atë.
“Ai është një vendim i qeverisë dhe po respektohet. Në veri, nëse nuk qarkullojnë targa të tjera, do të thotë se ata që kanë targa ilegale po shkojnë t’i kthejnë ato në legale, me “KS” dhe “RKS””, ka thënë Rexhepi.
Ai ka shtuar se targat ilegale në të gjithë Kosovën do të hiqen gradualisht, ndërsa afati për pajisje me dokumente personale dhe patentë është shtyrë deri më 1 shtator.
Më herët gjatë muajit, Policia e Kosovës konfiskoi targat serbe të një automjeti, si dhe lejen e qarkullimit të një banori në lagjen e Tre Rrokaqiejve, në veri të Mitrovicës.
Megjithatë, numri i targave të konfiskuara mbetet i ulët, gjë që tregon se banorët serbë të Kosovës kanë filluar të aplikojnë për ndryshimin e tyre.
Top Channel