Prishtina zyrtare, referuar deklaratave të presidentit të ri të Serbisë, Timosllav Nikoliç, vlerëson se mentaliteti i Beogradit nuk ka ndryshuar, por ka mbetur nacionalist, njësoj si gjatë luftrave të viteve ’90.
Qëndrimi i qeverisë kosovare është shprehur nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, i cili në një intervistë për agjencinë bullgare “Focus” i ka cilësuar si shenja negative deklaratat e kreut të shtetit serb.
“Unë mendoj se politika e mosnjohjes së Kosovës nga Serbia dhe mostrajtimi i Kosovës si një shtet fqinj dhe partner i barabartë e kthen Serbinë në ideologjinë e njëjtë që prodhoi luftëra dhe spastrim etnik në Kosovë në vitin 1999, ku më shumë se një milion njerëz u dëbuan dhe mbi 12 mijë u vranë, shumica e të cilëve ishin gra dhe fëmijë”, ka deklaruar Hoxhaj.
Hoxhaj ka vlerësuar se, kjo politikë e Serbisë, që pengon konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB, është e njëjtë me ideologjinë e Serbisë së Madhe dhe të spastrimit etnik.
“Kjo demonstron një mungesë të respektit për dinjitetin e viktimave dhe atyre që shpëtuan gjatë luftërave të fundit në Jugosllavi, si dhe një mungesë të përkushtimit drejt paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, ka nënvizuar Hoxhaj.
Më tej, i pyetur nëse ndarja e Kosovës përbën rrezik për rajonin, shefi i diplomacisë kosovare ka theksuar se kufijtë e Ballkanit janë vendosur dhe askush nuk mund t’i ndryshojë.
“Ideja e ndarjes, e promovuar nga disa qarqe politike në Beograd që nuk përkrahen nga bashkësia ndërkombëtare dhe elitat politike në Ballkan, është shumë e rrezikshme pasi ajo mund të hapë kutinë e Pandorës, të destabilitetit, të pasigurisë dhe dhunës”, ka shtuar Hoxhaj.
Top Channel