Tomisllav Nikoliç ka bërë betimin si presidenti i ri i Serbisë, me një fjalim ku mes të tjerash ka spikatur citimi se do të ruajë integritetin territorial të Serbisë, duke iu referuar në këtë mënyrë Kosovës.

“Do të mbroj Kushtetutën, do të respektoj dhe ruaj integritetin territorial të Serbisë dhe do të përpiqem që t’i bashkoj të gjitha forcat politike në vend, që të kenë një politikë të përbashkët kundrejt Kosovës”, ka deklaruar Nikoliç.

Nga ana tjetër ai ka premtuar se do të ndjekë rrugën evropiane për Serbinë dhe se do të bashkëpunojë me vende të ndryshme, qofshin ato në Perëndim apo në Lindje.

“Është në interes të Serbisë që të bashkëpunojë me të gjithë, edhe me Lindjen edhe me Perëndimin, pasi në këtë mënyrë Serbia vetëm fiton dhe nuk humbet asgjë”, ka vlerësuar Nikoliç.

Ceremonia e betimit të presidentit serb, ashtu siç ishte paralajmëruar, është bojkotuar nga presidentët e disa prej vendeve fqinje të Serbisë.

Kanë qenë presidentët e Sllovenisë, Bosnjes dhe Kroacisë që e kanë bojkotuar këtë inaugurim, për shkak të deklaratave të Nikoliç se, masakra e Srebrenicës nuk ishte genocid dhe se qyteti i Vukovarit në Kroaci është një qytet serb.

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç deklaroi më herët se Serbia ndihej e ofenduar nga ky veprim, i cili sipas tij ka qenë i organizuar dhe jo i rastësishëm.

“Ky është një bojkot i organizuar dhe është një ofendim për Serbinë dhe jo për Tomisllav Nikoliç”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA