Bashkimi Evropian pret nga Serbia që të bëjë një progres të qëndrueshëm në marrëdhëniet me Kosovën.

Shtefan Fyle, komisioneri për Zgjerim i BE-së, ka qenë i qartë pas takimit me presidentin serb Tomisllav Nikoliç, duke theksuar se në mes të kushteve për Serbinë ndodhet edhe ai për institucionet paralele në veriun e Kosovës.

“Meqë Serbia është kandidate për në BE duhet të jemi transparentë dhe të themi kërkesat tona në mënyrë të qartë. Këshilli i Evropës ka dhënë pesë pikat konkrete në të cilat Serbia duhet të jetë e fokusuar dhe kjo nuk mund të ketë interpretim tjetër”, është shprehur Fyle.

Ai ka saktësuar se pret nga Serbia vazhdimin e proçesit të reformave, reforma në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, dhe zhvillimin e institucionit të Avokatit të Popullit.

Një nga pikat e përmendura ka qenë edhe bashkëpunimi me rajonin dhe proçesi i pajtimit. Presidenti Nikoliç ka thënë se nuk ka dëgjuar nga ana e zyrtarëve të Brukselit nëse pranimi i Kosovës është kusht për integrim.

“Nëse do ta kisha dëgjuar një gjë të tillë do t’ua thosha. Por, kemi biseduar për proçesin e bisedimeve të Beogradit dhe të Prishtinës, i cili duhet të na sjellë deri tek situata për ta zgjidhur këtë problem. Në bisedime duhet të gjejmë zgjidhje në mënyrën e pranueshme për palët në proçes”, ka thënë Nikoliç.

Fyle ka arritur në Beograd për shkak të ceremonisë solemne të inaugurimit të presidentit Nikoliç, e cila shënon edhe fillimin zyrtarisht të punës së tij.

Megjithatë, në këtë solemnitet kanë marrë pjesë vetëm presidenti i Malit të Zi dhe ai i serbëve të Bosnjës, Filip Vujanoviç dhe Milorad Dodik, gjë që ka tërhequr vëmendje për përkeqësimin e marrëdhënieve në rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA