Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur të bëhen llogaritë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në një analizë të “CNN” vlerësohet se përcaktues për rizgjedhjen e Obamës do të jetë pikërisht… Gjermania.
Sipas analizës, vendimet që do të marrë Berlini në ruajtjen apo zhbërjen e euros do të kenë një ndikim të madh mbi ekonominë amerikane dhe si rrjedhojë, edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Për momentin, është e qartë se problemet e rënda ekonomike në Eurozonë kanë ndikuar dukshëm edhe në ekonominë më të madhe në botë, atë të SHBA-së.
Megjithatë, ajo që duhet ende të verifikohet është se sa shumë do të përfitojë Uashingtoni nëse Europa do të arrijë të gjejë një zgjidhje dhe në këtë kuadër, duket se Merkel ka në dorë një votë me të “drejtë vetoje” në zgjedhjet presienciale amerikane.
Sipas “CNN”, nëse ekonomia më e fuqishme në “kontinentin e vjetër”, Gjermania, do të vendosë të ecë përpara e vetme dhe të ndërpresë kreditimet për Greqinë, Italinë, Spanjën dhe vendet e tjera në krizë, atëherë vetë ekonomia gjermane mund të dëmtohet, por do të mbijetonte pa vështirësi.
Nuk do të mund të thuhej e njëjta gjë për SHBA-në, ku një kolaps i Eurozonës, do ta privonte atë nga partneri kryesor ekonomik për Uashingtonin dhe në këto kushte, ekonomia do të merrte një goditje, e cila do të dëmtonte rëndë shanset e Obamës për t’u rizgjedhur.
Njëkohësisht, Gjermania mund të ndikojë në ekonominë amerikane dhe në zgjedhjet presidenciale edhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë.
SHBA është eksportuesi më i madh në botë, por në mënyrë që ekonomia e parë të vazhdojë të rritet, dikush duhet të blejë. Me BE-në në krizë dhe Kinën e Indinë në ngadalësim, ekonomia e vetme e madhe në rritje të ndjeshme është pikërisht ajo gjermane.
Në përfundim, “CNN” rendit këto dy faktorë kryesorë si vendimtarë në garën midis Obamës dhe Romney, duel në të cilin Berlini, për herë të parë në histori, duket se ka një influencë të papritur.
Top Channel