Mbi 100 mijë sirianë kanë lënë vendin e tyre në muajin gusht, duke
shënuar numrin më të lartë të refugjatëve të larguar që kur nisi
konflikti në Siri.
Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, në një muaj numri total i njerëzve që kanë braktisur shtëpitë është dyfishuar duke arritur në 235.200.
“Ky është një përshkallëzim serioz i lëvizjes së refugjatëve”, deklaroi zëdhënësja Melissa Fleming.
Numrat në rritje vijnë në një moment kur kreu i Kryqit të Kuq, Peter Maurer ka zhvilluar bisedime me presidentin sirian Bashar al Assad mbi krizën në Siri.
Gushti ka qenë gjithashtu muaji më i dhunshëm, të paktën deri tani, duke shkaktuar numrin më të lartë të refugjatëve, të shoqëruar me mbi 5 mijë vdekje, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Vetëm javën e kaluar, thonë më tej agjencitë e Kombeve të Bashkuar, mbetën të vrarë në luftime rreth 1.600 persona.
Shefi i Kryqit të Kuq kaloi rreth një orë me liderin sirian dhe përfaqësues të tjerë të organizatës humanitare, të cilët e cilësuan takimin si “pozitiv”.
Televizioni shtetëror sirian njoftoi se presidenti Assad shprehu mbështetjen e tij për punën humanitare të Kryqit të Kuq, për aq kohë sa ai do të mbetet “i pavarur dhe i paanshëm”.
Zëdhënësja e organizatës, Cecilia Goin tha për BBC se stafi po përgatitet të zgjerojë hartën e shpërndarjes së ndihmave ushqimore dhe jo vetëm në zona të tjera të Sirisë.
Top Channel