Kina, masa për stimulimin e ekonomisë

07/06/2012 15:20

Kina reduktoi normën bazë të interesit për herë të parë që prej vitit 2008, në një përpjekje për të stimuluar rritjen ekonomike në kontraktim.

Norma bazë e interesit u reduktua me 0,25 pikë, duke u vendosur tashmë në nivelin e 6,31%. Banka Popullore e Kinës shkurtoi edhe interesin për depozitat, nga 3,5 në 3,25%.

Një lëvizje e tillë fiskale inkurajon investitorët dhe bankat e nivelit të dytë që të shpenzojnë më shumë dhe të japin kredi me norma më të ulta, në të njëjtën kohë që ç’inkurajohet depozitimi.

Më parë gjatë majit, Pekini zyrtar vendosi të vonojë zbatimin e disa normave më të forta fiskale, nga frika se mund të largojë kreditorët.

Kjo paketë e re rregullash, që do të hyjë në fuqi në janarin e vitit të ardhshëm, detyron bankat që të rrisin normat e parave të ngrira për garantimin e depozitave.

Ekspertët kanë paralajmëruar se nëse kjo do të ndodhë, bankat mund të shkurtojnë sasinë e parave të ofruara për kreditimin e ekonomisë, duke ngadalësuar edhe më shumë ekonominë kineze, që vazhdon të ruajë ritme të larta rritjeje, por ka shënuar një tkurrje të ndjeshme ndikuar nga kriza e Eurozonës, në tre vitet e fundit.

Ekonomia e dytë më e madhe në botë, ajo e Kinës, u rrit me 8,1% në tre muajt e parë të vitit, një shifër e mbresëlënëse krahasuar me fuqitë e tjera të mëdha, por inferiore nga normat dyshifrore të përpara 2009-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA