Presidenti afgan Hamid Karzai ka deklaruar se bombardimet ndaj civilëve në Logar nga ana e misionit ISAF janë të pajustifikueshme.
Sipas dëshmitarëve, bombat e NATO-s të qëlluara në natën mes së martës dhe së mërkurës, kanë vrarë 18 persona, 7 prej të cilëve fëmijë, 5 gra dhe 6 burra.
Ndërkohë, në Kabul për një vizitë surprizë ka mbërritur të enjten sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, për të ekzaminuar situatën e sigurisë.
Panetta do të diskutojë me homologët dhe shefin e misionit ISAF, gjeneralin John Allen, mbi planin e tërheqjes së trupave aleate.
Një ditë më parë, dy sulme vetvrasëse tronditën Afganistanin duke shkaktuar mbi 22 të vdekur në qytetin e trazuar të Kandaharit.
Shpërthimet ndodhën në një treg në afërsi të aeroportit, zonë ku kalojnë shpesh kamionet me furnizime për forcat e NATO-s, pasi një bazë e rëndesishme e trupave të Aleancës ndodhet aty pranë.
Ndërsa më herët gjatë javës NATO firmosi marrëveshje me Kazakistanin, Uzbekistanin dhe Kirgizstanin për të përdorur territoret e tyre për evakuimin e automjeteve dhe pajisjeve ushtarake nga Afganistani.
Marrëveshja do t’i lejojë Aleancës që të anashkalojë Pakistanin, vend që i ka penguar NATO-s përdorimin e territorit të tij për shkak të disa rasteve ku janë vrarë civilët.
Top Channel