Autoritetet irakene ekzekutuan një prej ndihmësve kryesorë të Saddam Hussein, liderit që drejtoi me dorë të hekurt vendin e madh të Lindjes së Mesme për 25 vjet, përpara se të ekzekutohej edhe ai vetë në 2006-n.
Sekretari personal dhe shefi i sigurisë së Hussein, Abid Hamid Hamud, u var në mëngjes në një burg të vendit, pasi më parë ishte shpallur fajtor për genocid në shtypjen e protestave të popullsisë shiite gjatë viteve 1980.
Hamud u arrestua në vitin 2003, pak pas ndërhyrje së një koalicioni të udhëhequr nga SHBA në vend, që rrëzoi diktaturën e Saddamit.
Ish-zëvendëskryeministri i Irakut, Tarik Aziz dhe ish-ministri i Brendshëm, Saadun Shaker, gjithashtu janë duke pritur ekzekutimin e tyre, pasi u dënuan gjithashtu me vdekje në të njëjtin proces me Mahmud.
Ekzekutimi i ditës së enjte ishte i pari i një funksionari të lartë në vend që prej zbatimit të dënimit me vdekje të kushëririt të Saddamit, Ali Hassan al-Majid, i njohur ndryshe edhe si “Ali Kimiku”, për shkak të organizimit të disa masakrave në zonat e banuara me kurdë, me armë kimike dhe biologjike.
Në shkurt, grupi i të drejtave të njeriut, “Human Rights Ëatch” i bëri një thirrje zyrtare Bagdadit që të ndërpresë praktikën e dënimeve me vdekje, pasi 65 të burgosur u ekzekutuan në vetëm 40 ditët e para të 2012-s.
Top Channel