Me ardhjen e sezonit të verës, vjen edhe sezoni i martesave, me shumë çifte që planifikojnë bashkimin midis tyre pikërisht në këtë periudhë të vitit.
Ndërsa mijëra çifte shqiptare çdo vit nisin me betimin për besnikëri dhe përkushtim të përjetshëm një jetë përkrah personit të zemrës, martesa ngre në vetvete edhe shumë pikëpyetje, që ishin pikërisht tema e bisedës së emisionit të “Pasdites”, të mërkurën në Top Channel.
Përse martohemi, a duhet ta marrim seriozisht këtë impenjim dhe përse disa ia dalin dhe disa të tjerë jo? Juli Kristafi, folëse e lajmeve në Top-Channel, Bruna Paskali, një femër në karrierë, drejtuese e një institucioni privat arsimi dhe Arjana Muçaj pedagoge ishin të ftuarat e emisionit.
Prej katër vitesh e martuar dhe nënë e një djali 3-vjeçar, ishte Kristafi ajo që nisi debatin e saj mbi mënyrën se si e mendonte martesën, përpara se ta realizonte atë. “E vërteta është që nuk e kam ëndërruar shumë martesën dhe gjithmonë e kam parë atë si portën për pasjen e një fëmije dhe familje, që është e vetmja gjë që kam ëndërruar. Martesa është kurorëzimi i një dashurie, një pakt për të jetuar së bashku, ndonëse kjo mund të realizohet edhe me bashkëjeteë. Personalisht, nuk kam bërë dasmë, por vetëm një ceremoni të thjeshtë familjare. Më ka mbetur vetëm pak peng që s’e kam parë veten me fustan të bardhë asnjëherë dhe mbase në të ardhmen bëj një set fotografish si nuse, por vetëm kaq”.
Duke folur konkretisht për momentin në të cilin vendosi të martohej, Juli u kujtoi: “Përpara se të ishim bashkëshortë, unë dhe Eraldi ishim të dashur dhe ajo që na bashkonte ishte se të dy e shihnim martesën dhe pasjen e fëmijëve si gëzimi i jetës, prandaj vendimi erdhi natyrshëm. Natyrisht, edhe ne përjetojmë momente moskuptimi, ndonëse mund të them që s’kemi pasur momente realisht të vështira”.
Një pedagoge e shkencave sociale, Muçaj iu përgjigj kështu pyetjes se përse njerëzit martohen: “Qënia social është në vetë kodin gjenetik të njeriut dhe kjo të panatyrshme jetesën e vetmuar. Megjithatë, në ditët e sotme shumë të rinj e kanë të vështirë të bëjnë një zgjedhje, pasi jeta e beqarit ka avantazhet e saj të padiskutueshme, sidomos në aspektin e lirive. Përse njerëzit lidhen apo martohen? Njerëzit lidhen në çift për të ndarë kënaqësitë e tyre, për t’i besuar pjesën më intime, botën e brendshme dhe shpesh herë parapëlqjnë të kenë një njeri për të ndarë atë pjesë që kushdo e ka të vështirë ta ndajë në jetën e tij. Martesa ndikon shumë edhe në shëndetin psikologjik, pasi është e provuar që njerëzit që e kanë kryer këtë hap janë më të qëndrueshëm dhe kanë më pak probleme psikologjike”.
Nga ana e saj, Bruna Paskali, e divorcuar pas 17 vitesh martesë, gjithashtu vlerësoi si të rëndësishme lidhjen ligjore dhe shpirtërore midis dy njerëzve. “Për të vazhduar idenë e Arjanës, duhet të them se martesa është një institucion i vjetër sa vetë njeriu, që ka jetuar që prej zanafillës së tij në çift. Jo vetëm shëndeti mendor, por kjo lidhet edhe e mbijetesën e llojit, qënies njerëzore, ndarjes së emocioneve. Kur jemi shumë të rinj e idealizojmë pak martesën dhe nisem nga pozicioni personal, kur mendoja se martesa do të ishte për tërë jetën. Secili prej nesh ka një sërë ëndrrash që ndoshta në realitet duhet t’i ridimensionosh sepse nuk ka “Princ të Kaltër”, as ne nuk jemi princesha. Secili ka defekte, të mira e të këqija, martesa në fund duhet të pranosh tjetrin ashtu siç është. Nuk mund të pretendosh që të bësh gjithçka që ëndërron realitet”.
Por, për fat të keq, jo të gjitha martesat zgjasin për të gjithë jetën dhe shumë çifte, kujtojnë ditën e dasmës si një moment të keq, i cili i hapi derën momenteve më të vështira në jetë dhe vuajtjeve edhe më të mëdha.
”Dy partnerë nuk lidhen se gjejnë gjëra të përbashkëta, por sepse gjejnë gjëra që e plotësojnë tek- tjetri. Por, me kalimin e kohës, këto të kundërta që tërheqin mund të shndërrohen në minuse të mëdha, pasi edhe vetë nevojat apo botëkuptimi i njeriut ndryshon me kalimin e kohës”, vlerësoi Muçaj.
Nga ana e saj, Zonja Paskali vlerësoi si të domosdoshëm veçansinë e kujtdo në jetën si çift. “Martesa dhe bashkëjetesa janë e njëjta gjë, me përjashtim të faktit që e para është një lloj bashkëjetese edhe përpara ligjit. E rëndësishme në jetën në çift është që të mos ketë kompromise në të cilin vetë partnerët mohojnë veten, sepse pikërisht këtu prishet edhe ngrehina e martesës. Përpara disa ditësh, duke ecur në rrugë dëgjoja në telefon një komunikim midis dy të dashurve, me djalin që i kërkonte llogari partneres se përse nuk i kishte hapur telefonin, ku e mbante atë, etj. Kjo është një vrasje për çdo lidhje apo martesë qoftë”.
Por, deri ku duhet të shkojë kompromisi? Psikologia Muçaj vlerësoi se: “Kompromis do të thotë që secili prej të dy parnerëve të përshtatet, por pa humbur individualitetin e tij, pa kufizuar liritë e secilit. Pa dyshim, asnjërit nuk i është marrë fryma nga martesa, por është e pamohueshme që jetesa ndryshon. Megjithatë, konfliktet nuk lidhen në thelb me ngushtimin e lirisë, por me problemet ekonomike, sociale dhe politike, që kanë rëndësi në zhvillim e marrëdhënies në familje”.
Megjithatë, pavarësisht avantazheve dhe disantazheve që ka, a mund të konceptohet një shoqëri pa martesë? “Pa të do të kishim një mungesë të disa normave të moralit të shoqërisë, të disa vlerave të domosdoshme që mishërohen tek familja. Juli ka dëshirë që atë që ka arritur vetë t’ia transmetojë dikujt tjetër, fëmija është pasardhësi ynë, njeriu që i transmeton gjërat brez pas brezi. Për shoqërinë, martesa është një institucion i pazëvendësueshëm, prandaj edhe ajo nuk mund të jetë kurrë njësoj me bashkëjetesën, që në thelb është një martesë e zhveshur nga përgjegjësitë qofshin ligjore dhe qofshin personale”, theksoi Muçaj.
Top Channel