Zhvendosja në Paqësor, Kina sulmon SHBA-në

05/06/2012 15:40

”Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë në kontakt me kohën në të cilën jetojmë”, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Kineze, pas vendimit të Uashingtonit për të përforcuar prezencën e tij ushtarake në rajonin e Paqësorit.

Deklarata e Liu Weimin erdhi në javën në të cilën Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, lajmëroi për zhvendosjen e 60% të flotës detare në Paqësor, deri në vitin 2020.

Zhvendosja është pjesë e politikës së presidentit Barack Obama për të riorientuar SHBA-në ekonomikisht dhe strategjikisht në rajonin vendimtar të Paqësorit, pas më shumë se një dekade lufte në Lindjen e Mesme.

Aktualisht, flota amerikane është e ndarë në mënyrë të barabartë midis Paqësorit dhe Atlantikut.

Në deklaratën e Pekinit zyrtar, shkruhej se “prezenca amerikane në rajon është e mirëpritur përsa kohë do të respektojë interesat e Kinës dhe vendeve të tjera të rajonit. Megjithatë, shtimi i prezencës ushtarake nuk do të sjellë asnjë të mirë për fuqizimin e klimës aktuale të mirëkuptimit dhe miqësisë. Axhendat ushtarake dhe të sigurisë, përforcimi i aleancave dhe zhvendosja ushtarake në zonë nuk është në të njëjtin hap me kohën në të cilën po jetojmë”.

Obama lajmëroi për herë të parë zhvedosjen e vëmendjes së Uashingtonit drejt Azisë gjatë një turi në vendet aziatike, në nëntor 2011.

Me Kinën dhe SHBA-në që janë partnerët kryesorë ekonomikë të njëri-tjetrit, Paqësori ka fituar një rëndësi të shtuar së fundmi.

Aktualisht, në Detin e Kinës së Jugut kalon çdo vit një vëllim mallrash prej 5,3 trilion dollarësh, prej të cilës 1,2 trilion dollarë janë importe apo eksporte të SHBA-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA