Projektligji i kontestuar për forcimin e statusit të gjuhës ruse në Ukrainë ka kaluar pengesën e parë në Parlament, pavarësisht kundërshtimit të ashpër të opozitës.
Deputetët nga partia në pushtet kanë miratuar projektligjin në votimin e parë, me 234 vota pro nga 450 vende që ka dhoma e ulët e Parlamentit.
Projekti në fjalë, kur u propozua muajin e kaluar në institucionin e ligjvënësve, u shoqërua me debate të ashpra që kaluan në konfrontime fizike mes tyre.
Projektligji i garanton rusishtes, gjuha nënë e shumë njerëzve në lindje dhe në jug të Ukrainës, statusin e “gjuhës rajonale”.
Ai do të kthehet në ligj nëse aprovohet në votimin e dytë që do të mbahet më vonë gjatë vitit dhe më pas do t’i takojë presidentit Viktor Yanukovych për ta firmosur, i cili njihet për afërsinë e tij me Moskën.
Ndërkohë që gjuha ukrainase do të mbetet gjuha zyrtare e vendit, rusishtja do të mund të përdoret në gjykata, spitale dhe institucione në rajonet rusishtfolëse.
Kundërshtarët e këtij projektligji, kryesisht blloku i drejtuar nga ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko, argumentojnë se ai do të minojë statusin e gjuhës ukrainase, gjuha që dominon në rajonin qendror dhe perëndimor të vendit.
Ditën e martë, deputetët mbështetës të Yanukovych formuan një kordon rreth kryetarit të Parlamentit, Volodymyr Lytvyn, për ta lejuar atë që të kalonte projektin në votim.
Ndërkohë që jashtë selisë së Parlamentit, në kryeqytetin Kiev, janë mbajtur protesta masive pro dhe kundër tij.
Top Channel