SHBA godasin numrin 2 të Al Kaedës

05/06/2012 00:00

Një avion amerikan i telekomanduar goditi të hënën në Pakistan numrin dy të Al Kaedës, Abu Yaha al Libi.

Lajmin e kanë bërë të ditur burime nga administrata amerikane, sipas të cilave është ende e paqartë nëse shënjestra ndodhej mes personave të vrarë nga sulmi që goditi një strehë të militantëve në Uaziristanin Verior, pranë kufirit afgan.

Ndërkohë, autoritetet pakistaneze kanë deklaruar se dy raketa të qëlluara nga avioni i pilotuar në distancë kanë vrarë 15 persona.

Ministria e Jashtme pakistaneze dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar atë si ilegal, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ndërkohë, një oficer amerikan tha për BBC se Al Libi ishte shënjestruar mëngjesin e së hënës në Hesokhel, në lindje të Miranshahut, kryeqytet i Uaziristanit Verior.

Raketa e parë goditi strehën duke vrarë tre militantë, ndërsa raketa e dytë vrau 12 të tjerë, kanë deklaruar autoritetet pakistaneze.

Nëse vdekja e Al Libit konfirmohet, atëherë kjo do të jetë një goditje e rëndë për bërthamën e Al Kaedës, ka deklaruar zyrtari i sipërpërmendur amerikan.

Uashingtoni dyshon se pas vdekjes së Osama bin Laden vitin e kaluar, Al Libi, i shkolluar në Libi, u bë numri dy i organizatës pas egjiptianit Ayman al Zawahiri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA