Putin, vizitë kyçe në Kinë

05/06/2012 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin ka nisur një vizitë treditore në Kinë, ku energjia dhe politika e jashtme pritet të jenë temat që do të dominojnë axhendën.

Zoti Putin deklaroi para nisjes se dëshironte që të nxiste edhe më tej tregtinë dypalëshe, e cila arrin në 84 miliardë dollarë në vit.

Kriza në Siri pritet të diskutohet gjithashtu gjatë bisedimeve. Rusia dhe Kina i kanë rezistuar presionit të Perëndimit për të larguar presidentin Bashar al Assad nga pushteti në kuadër të kryengritjeve.

I dërguari i Kinës në OKB, Li Baodong e ka përshkruar Sirinë si një nga çështjet më të rëndësishme në axhendën e Këshillit të Sigurimit.

Aktualisht Pekini kryeson presidencën e radhës të KS dhe zoti Li u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të implementojnë sa më parë planin e paqes të Kofi Annan.

Lëvizja rebele Ushtria Çlirimtare e Sirisë deklaroi të hënën se nuk ishte më e gatshme të zbatonte armëpushimin.

Zëdhënësi Samil al Kurdi tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se UÇS-ja kishte nisur sulmin ndaj ushtarëve për të mbrojtur popullin.

Ndërkohë, zoti Putin do të zhvillojë një takim të gjatë kokë më kokë me presidentin kinez Hu Jintao gjatë së martës.

Lideri rus ndodhet në Pekin bashkë me 6 ministra të kabinetit, kreun e gjigandit të gazit “Gazprom” dhe të kompanive të tjera energjitike.

Top Channel