Një dëshmitar i mbrojtjes, anëtar i një grupi të ekstremit të djathtë në Norvegji, i doli në mbrojtje pikëpamjeve të Anders Behring Breivik mbi islamin, në procesin që po zhvillohet në Oslo.
Më parë, vrasësi i 69 personave në një kamp të rinjsh në Utoja dhe i tetë të tjerëve në një sulm me bombë në kryeqytet, konsideroi aksionin e tij si të domosdoshëm për të ndërgjegjësuar vendin nga rreziku i përhapjes së muslimanizmit dhe multikulturalizmit.
Breivik ka pranuar autorësinë e vrasjeve, por mohon përgjegjësinë kriminale dhe gjatë procesit do të përcaktohet edhe nëse ai do të vuajë dënimin e tij në një burg të sigurisë së lartë apo në një institucion të shëndetit mendor.
Arne Tymur, i cili udhëheq organizatën e quajtur “Stop Islamizimit të Norvegjisë”, e përshkroi islamin si një fe “të bazuar në dhunë dhe mungesë tolerance”.
Në fjalën e tij në proces, i thirrur si dëshmitar i mbrojtjes, Tymur theksoi: “Islami është një fe e skllavërimit dhe e terrorit. Nëse sheti do të vazhdojë që të mos bëjë asgjë për parandalimin e përhapjes së tij, atëherë raca nordike do të shfarroset. Kushtetuta duhet shfuqizuar. Ajo që nuk kuptojnë është se tashmë ndodhemi në luftë”.
Aktualisht, anëtarët e komuniteteve muslimane përbëjnë 2% të popullsisë prej 4,9 milionë banorësh të Norvegjisë.
Top Channel