Ish-drejtori i përgjithshëm i “Unicredit”, i bankës më të madhe në Itali, do të përballet në gjykatë me akuzën e evazionit fiskal, informoi të martën Gjykata e Milanos.
Alessandro Profumo, aktualisht drejtori i përgjithshëm i “Banka Monte dei Paschi di Siena” dhe 19 drejtues të tjerë do të përballën në procesin e hapur pas zbulimit të parregullsive, më parë gjatë vitit.
Profumo, i cili mohon akuzat e ngritura kundër tij, dha dorëheqjen nga “Unicredit” pas skandalit të disa marrëveshjeve të dyshimta me Libinë e kolonel Gaddafit.
”Jam duke pritur me padurim gjyqin tim, pasi jam i bindur në pafajësinë dhe korrektësinë time në të gjithë aktivitetet e mia”, deklaroi Profumo.
”Nëpërmjet këtij gjyqi, shpresoj të vendos në vend reputacionin tim, të dëmtuar nga këto akuza të pavërteta”.
Banka “Unicredit” u zbulua se kishte përpunuar një sistem të sofistikuar të fshehjes së taksave, skemë që besohet se u ndërtua prej Profumos.
Top Channel