Shtetet e Bashkuara të Amerikës lajmëruan ditën e martë për zëvendësimin e gjeneralit që drejtonte sektorin e operacioneve strategjike në Korenë e Jugut, një javë pas një komenti që krijoi shumë polemika në veriun komunist.
Gjenerali Neil Tolley u citua duke thënë se trupat amerikane dhe ato koreanojugore parashutohen në Korenë e Veriut për të spiunuar në strukturat e nëndheshme ushtarake.
Në një konferencë për shtyp në Florida, gjenerali pranoi gjatë majit se fjalët e publikuara në shkim ishin autentike, por shtoi se në fjalim kishte qenë i paqartë për atë që donte të shprehte.
Ditën e martë, Pentagoni lajmëroi se gjenerali Tolley është zëvendësuar në detyrë nga gjenerali i brigadës, Eric Wendt. Megjithatë, në deklaratën zyrtare nuk bëhej asnjë referencë ndaj skandalit, duke e justifikuar zëvendësimin me afatet kohore.
”Ky është një lajmërim rutinë dhe gjeneral Tolley është zevendësuar si normalisht, pas disa muajsh në detyrë”, informoi Pentagoni, duke bërë të qartë njëkohësisht se asnjë operacion sekret nuk është duke u zhvilluar përtej vijës së demarkacionit që ndan të dy Koretë.
Nëse pretendimi i gjeneralit do të verifikohej, atëherë parashutimi për arsye spiunazhi do të përbënte një shkelje të armëpushimit të vitit 1953, duke i dhënë Koresë së Veriut një preteks për të sulmuar fqinjët e tij jugorë dhe bazat amerikane në jug.
Korea e Veriut është një prej nëntë vendeve të pajisur me armë bërthamore në botë.
Top Channel