Duka i Edinburgut, i shoqi i Mbretëreshës Elizabeta II të Britanisë, është dërguar në spital me një infeksion të fshikëzës dhe për rrjedhojë do të humbasë pjesën tjetër të festimeve të “Jubileut të Diamantë”(Diamond Jubilee), që po mbahet për nder të 60 vjetorit në fronin mbretëtor të Elizabetës.
Buckingham Palace në një komunikatë ka thënë se Princi Philip, 90-vjeç, është dërguar në Spitalin Mbreti Eduard VII në Londër nga Kështjella Windsor për të marrë masa parandaluese për sëmundjen.
Në të njëjtën kohë Mbretëresha është bashkuar me 12.000 qytetarë të tjerë në koncertin jubilar, i cili është duke u zhvilluar në pallatin Mbretëror.
Bëhet e ditur se Princi Philip do të qëndrojë në spital nën vëzhgimin e mjekëve për disa ditë.
Ai paraqitej në gjendje të mirë shëndetësore, kur shoqëroi Mbretëreshën të dielën në anijen mbretërore “Spirit of Chartwell”, e cila ishte pjesë e konkursit të jubileut përgjatë lumit.
Princi Philip dhe Mbretëresha qëndruan për shumicën e udhëtimit 80-minutësh, teksa shoqëroheshin nga 1000 anije që udhëtuan për shtatë kilometra përgjatë lumit deri në ndërtesën e njohur Tower Bridge.
Top Channel