Presidenti, Shqip: Çfarë solli takimi Berisha-Rama?

04/06/2012 00:00

Të hënën parlamenti mbajti raundin e dytë, nga pesë mundësi që i ka dhënë Kushtetuta, për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të vendit. Por seanca nuk zgjati as 3 minuta dhe raundi u krye. Kësaj seance parlamentare i parapriu takimi Berisha-Rama, mbrëmjen e së dielës në Kryesinë e Kuvendit.

Takimi ngjalli interes, jo vetëm për faktin që takoheshin pas 5 viteve dy aktorët kryesorë të skenës politike shqiptare, por edhe për momentin në të cilin zhvillohej. Në këto ditë të nxehta qershori, vendi kërkon një president, e përballë janë dy qendrime. Mazhoranca që i qendron kandidaturës së saj, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Xhezair Zaganjori dhe opozita që këmbëngul tek procesi me anë të të cilit të arrihet në gjetjen e një emri të pranueshëm nga të dyja palët.

Sa i frytshëm ishte takimi Berisha-Rama? Kësaj pyetje u munduan t’i japin përgjigje analistët dhe politikanët e ftuar në panelin e emisionit Shqip të kësaj të hëne.

Deputeti socialist, Erjon Braçe: Nga raundi i zhvilluar sot, mendoj që nuk ishte I frytshëm. Ishte i domosdoshëm, por nuk zhbllokoi të arrihej atje ku duhej. Ende nuk është hapur një proces për të zgjedhur një president konsensual. Mazhoranca e humbi durimin sot, teksa vendosi që brenda javës të konsumojë raundet e votimit për të kaluar tek raundi i katërt për të zgjedhur presidentin me 71 vota. Vazhdojnë të kërkojnë fajin tek opozita, e cila e ka qendrimin e saj. Opozita e ka dhënë kontributin e saj në këtë proces. S’mund të dalë një emër nga opozita e cila s’ka numrat në parlamentin e Shqipërisë.

Ndërsa Aleksandër Biberaj Fryma e Re Demokratike tha: Me sa u pa nga raundi i sotëm, takimi i mbrëmshëm është pozitiv, por nuk pati rezultat. Një takim pa rezultat s’ka asnjë vlerë, natyrisht takime të tilla kemi 22 vite që shohim, me rezultate ku ndryshohet Kushtetuta brenda natës, por që s’kanë vlerë. Produkt i një politike të vjetër.

Analisti Afrim Krasniqi shtoi: Takimi është realizuar nga presioni ndërkombëtarëve. Takimi nuk kishte atë që quhet natyrë qytetare e tij. Takim shumë i vonuar, mazhoranca ecën me fakte të kryera, opozita refuzon cdo lloj emri apo procesi që nis nga mazhoranca, palët janë larg njër-tjetrës dhe më shumë se sa interesi për të zgjedhur presidentin, tre palët po synojnë të fitojnë kredenciale politike. Për presidentin s’po mendon askush. Mazhoranca është ulur për shkak të faktorit ndërkombëtar. S’jam i sigurtë që kjo mazhorancë i ka 71 votat.

Deputeti socialist, Erjon Braçe ritheksoi edhe njëherë qendrimin e opozitës për t’i mëshuar procesit, parimeve e më pas hedhjes së emrave në tavolinën e bisedimeve dypalëshe. Ndërsa për përfaqësuesin e FRD-së Aleksandër Biberaj nuk po zhvillohet një debat i qytetëruar mes forcave politike dhe shtoi se presidenti duhej të zgjidhej nga populli, ashtu sikundër ishte rënë dakort brenda PD-së në vitin 2008. Zoti Biberaj shtoi se mazhoranca po kërkon medoemos marrjen e presidentit për t’iu shmangur hetimeve për korrupsion pas zgjedhjeve të 2013-ës, kur do të jenë në opozitë.

Ndërsa deputeti i PS-së, Erjon Braçe deklaroi se s’mund të flitet për dy palët përgjegjëse. PS, sipas tij, kërkon të bëhët pjesë e një procesi. “Për momentin funksionin vetëm presioni ndërkombëtarëve. të enjten vjen i dërguar i Komisionerit për Zgjerim, zoti Sanino dhe palët besoj që do të thellohen në bisedimet e tyre. Kërkojmë bisedime për parimet e më pas të shkojmë tek emrat”, tha zoti Braçe

Në mbyllje të diskutimit në pjesën e parë, të tre të ftuarit ishin në të njëjtën mendje se e gjithë situata e krijuar është produkt i një sistemi të gabuar.

Pjesa e dytë dhe e tretë e Shqip iu rezervua një tjetër paneli. Në studio ishte Grida Duma zv/ministre e Integrimit, Spartak Ngjela kryetar i PLD, politologu Henri Çili dhe kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa. Të ftuarit ishin në një mendje se ndërkombëtarët luajnë një rol thelbësor në jetën politike, e sidomos në rastin konkret, atë të zgjedhjes së presidentit, konsensusi për të cilin është rekomandim dhënë edhe nga BE për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA