Miliarderi Soros: Tre muaj vendimtarë për euron

04/06/2012 15:50

Investitori miliarder, George Soros, paralajmëroi udhëheqësit europianë se përballen me “tre muaj vendimtarë”, në luftën për shpëtimin e monedhës së përbashkët euro.

Njëkohësisht, në një intervistë të dhënë për “BBC” ditën e hënë, ai shprehu besimin se grekët do të jenë në gjendje që të zgjedhin një qeveri që do të përkrahë vazhdimin e reformave të vendosura nga kreditorët dhe BE, si kusht për marrjen e huave të reja.

Megjithatë, Soros shtoi se ekonomia gjermane do të fillojë të dobësohet duke nisur nga vjeshta, duke e bërë shumë më të vështirë për Kancelaren Angela Merkel që të vazhdojë të mbështesë pjesën tjetër të bllokut.

”Udhëheqësit europianë janë të paaftë të kuptojnë natyrën e krizës. Ndërsa ata po përqendrohen tek problemi i borxheve, harrojnë se natyra e vërtetë e problemit qëndron tek bankat dhe mungesa e konkurrencës. Për këtë arsye, mendoj se zgjidhja e krizës po adresohet në mënyrë të gabuar. Nuk mund të zgjidhet një krizë borxhesh nëpërmjet masave të kursimit, por vetëm nëpërmjet stimulimit të rritjes”, deklaroi Soros.

Duke folur nga një konferencë ndërkombëtar, miliarderi i pranishëm edhe në Shqipëri me disa projekte të ndryshme, shprehu besimin se brenda vitit 2012, do të përcaktohet nëse monedha e përbashkët euro do të vazhdojë të ekzistojë apo nëse vendet anëtare do të rikthehen tek monedhat e tyre të mëparshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA