Kriza, SHBA skeptike për manovrat e BE

04/06/2012 21:25

Shtëpia e Bardhë shprehet skeptike lidhur me ringjalljen e tregjeve financiare pas manovrave të ndërmarra nga Evropa për të shmangur një përkeqësim të mundshëm të krizës.

Zëdhënësi Jay Carney ka ritheksuar se duhen hapa të tjerë përpara për të bindur tregjet financiare se është bërë sa duhet për të mposhtur krizën e tejzgjatur të borxhit, që tani kërcënon edhe rimëkëmbjen e brishtë të ekonomisë amerikane.

“Tregjet mbeten skeptike se masat e ndërmarra derimë tani janë të mjaftueshme për të siguruar rimëkëmbjen e Evropës dhe për të eleminuar rrezikun që kriza të përkeqësohet. Prandaj, kërkojmë që të ndërmerren hapa të mëtejshëm”, ka deklaruar Carney.

Deklarata e zëdhënësit vjen pas asaj të shefit të tij, Barack Obama, që në fjalimin tradicional të së shtunës tha se: “Kriza ekonomike evropiane ka hedhur hije edhe mbi ekonominë tonë. E gjitha kjo bën më të vështirë rimëkëmbjen e plotë të ekonomisë amerikane”.

Pas një jave të mbushur me lajme të këqia në frontin e rritjes së punësimit në Shtetet e Bashkuara, Obama ia drejtoi gishtin kontinentit të vjetër. Këtë herë ai e bëri këtë duke folur për familjet amerikane, në përpjekje për t’u mbrojtur nga akuzat e rivalëve politikë, që i atribuojnë politika të dështuara ekonomike.

“Në këtë moment vendi ynë është ende duke luftuar për t’u rimëkëmbur nga reçesioni më i keq që nga depresioni i madh”, tha Obama gjatë fjalimit. “Ekonomia po rritet sërish, por jo mjaftueshëm. Dhe siç tregojnë të dhënat mbi papunësinë, ne nuk po krijojmë vende të reja pune me shpejtësi”, theksoi presidenti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA