Kina arreston dhjetëra aktivistë

04/06/2012 15:30

Kina arrestoi disa dhjetëra aktivistë dhe vendosi nën mbikqyrje qindra të tjerë, në mënyrë që të pengojë manifestimet në përvjetorin e masakrës së Tienanmenit.

Shtypi vendas është urdhëruar që të shmangë çdo referencë me protestën e vitit 1989, ku me qindra studentë u shtypën nga tanket dhe u vranë me armë automatike, ndërsa kërkonin një sistem demokratik në vendin e tyre.

Ministria e Jashtme e Kinës, gjithashtu shprehu “pakënaqësi të thellë”, pas thirrjeve të Uashingtonit për lirimin e atyre që ndodhen ende në burg në lidhje me manifestimin e lidhur ngushtë me emrin e sheshit ku u zhvillua, në Tienanmen.

Ditën e dielë, Uashingtoni i kërkoi Pekinit që të lirojë të burgosurit politikë dhe të lejojë “manifestimet përkujtimore”, të atyre që humbën familjarët e tyre në shtypjen e dhunshme të disa lirive thelbësore të njeriut, si ajo e jetës, manifestimit dhe fjalës.

Megjithatë, Kina e konsideroi këtë deklaratë si një “ndërhyrje të pajustifikuar në punët e brendshme të një shteti sovran”. Në deklaratë, theksohej se një sjellje e tillë nga ana e SHBA-së dhe çdo shteti tjetër nuk do të tolerohet.

Pavarësisht censurës së ashpër që i është vendosur masakrës së Tienanmenit, me mijëra aktivistë dolën në protestë në kryeqytetin Pekin dhe në disa qytete të tjera kineze, duke provokuar ndërhyrjen e policisë, që shoqëroi shumë prej tyre në komisariate dhe vendosi të tjerë në mbikqyrje.

Midis atyre që u shoqëruan në burg, është edhe kryeredaktori i një gazete të madhe opozitare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA