Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, vizitoi të hënën Armeninë, duke nisur kështu turin e saj të ish-Republikave Sovjetike të Kaukazit.
Vizita zyrtare e Clinton në Jerevan vjen ndërsa armëpushimi midis Armenisë dhe Azerbajxhanit duket më i brishtë se kurrë.
Të dy shtetet u përfshinë në një konflikt të përgjakshëm në lidhje me krahinën e pretenduar nga të dy shtetet të Nagorno-Karabakhut, në vitet 1990.
Mediat armene kanë shprehur qartësisht shpresë që takimi me Clinton të shërbejë për të qetësuar ujrat në një rajon ku Uashingtoni ka një ndikim të fortë, duke qenë se ekonomia armene është e varur prej ndihmave ekonomike amerikane.
Konflikti midis Armenisë dhe Azerbjaxhanit lindi pas shembjes së Bashkimit Sovjetik dhe deri në arritjen e një armëpushimi në vitin 1994, më shumë se 30 mijë persona nga të dyja palët mbetën të vrarë.
Që prej atëherë, krahina e Nagorno-Karabakhut ka gëzuar një autonomi të gjerë, ndonëse është formalisht pjesë e Azerbajxhanit.
Në muajt e fundit, tensioni midis Jerevanit dhe Bakusë ka ardhur duke u përshkallëzuar, ndërsa të dy palët kanë refuzuar të përfshihen në bisedime për gjetjen e një kompromisi.
Në Azerbajxhan, Sekretarja Amerikane e Shtetit pritet të fokusohet edhe në çështjet e të drejtave të njeriut, pasi autoritetet azere janë kritikuar për disa shkelje të rënda së fundmi në këtë drejtim.
Top Channel