Gjashtë muaj pasi gjykata e shkallës së parë për Krimet e Rënda i shpalli fajtorë të nëntë të akuzuarit për masakrën e Cërrikut, Gjykata e Apelit ka ndryshuar këtë verdikt duke dhënë tre pafajësi dhe vetëm një burgim të përjetshëm.
Për rrjedhojë, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të të akuzuarve Met Bozi, i dënuar më herët nga shkalla e parë me burgim të përjetshëm, Llazar Bicja, i dënuar me 25 vjet burgim dhe Skender Cani, i dënuar nga shkalla e parë me 21 vite burg, vendime që për të tre këta konsiderohen tashmë të prishura.
Apeli i Krimeve të Rënda e ka arsyetuar vendimin me argumentin e mungesës së provës, ndërsa ka lënë me burg të përjetshëm, ashtu sikurse ishte dhënë edhe nga shkalla e parë, për Roland Xhepexhiun dhe tetë vjet burg për bashkëpunëtorin e drejtësisë dhe me statusin e të penduarit, Bujar Buzanin, i cili fitoi më herët 15 vjet liri të falura për shkak të pozicionit të tij si ndihmës i drejtësisë.
Të pandehurit, proçesi i të cilëve zgjati në shkallën e parë pothuajse katër vjet, akuzohen se përgjatë ngjarjeve të 22 dhe 23 majit 1997 janë autorë të vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të gjashtë gardistëve të Gardës së Republikës dhe plagosjes së 16 efektivëve të tjerë.
Top Channel