Burg përjetë, Mubarak pëson krizë

02/06/2012 00:00

Një gjykatë në Egjipt ka dënuar me burgim të përjetshëm ish-presidentin Hosni Mubarak, për bashkëpunim në vrasjen e demonstruesve në protestat e vitit të kaluar.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare. 84-vjeçari është dënuar pas një proçesi 10-mujor të zhvilluar në një gjykatë speciale të Kajros.

Zoti Mubarak është ish-lideri i parë që gjykohet që nga fillimi i së ashtuquajturës Pranvera Arabe në fillim të vitit 2011.

Gjyqtari ndërpreu seancën pasi disa të shtëna armësh zjarri u dëgjuan në sallën e gjyqit, në momentet kur vendimi po lexohej.

Për të njëjtat akuza është dënuar po me burgim të përjetshëm edhe ish-ministri i Brendshëm egjiptian, Habib el Adly, ndërkohë që katër bashkëpunëtorë të tij janë shfajësuar.

Ndërkohë, edhe dy djemtë e ish-presidentit të Egjiptit, Gamal dhe Alaa, janë paraqitur në gjyq për t’u përballur me akuzat për korrupsion, por edhe ata janë shfajësuar pasi shkeljet e supozuara datojnë 10 vjet më parë dhe nuk ka prova.

Jashtë selisë së gjykatës, në momentin e vendimit për Mubarak ka pasur brohoritje nga familjarët e viktimave. “Jam shumë e gëzuar”, ka deklaruar Soha Saeed, bashkëshorte e një prej viktimave të Pranverës Arabe.

Por shumë shpejt gëzimi është shndërruar në inat dhe të shtëna pasi një pjesë e protestuesve kanë mësuar se bashkëpunëtorët e ish-ministrit të Brendshëm janë shfajësuar.

Shumë prej të pranishëmve janë përleshur me policinë. Ndërkohë, kur është transportuar nga gjykata në burgun e Torës, pas dhënies së vendimit, ish-presidenti ka pasur probleme shëndetësore dhe ka refuzuar të zbresë nga helikopteri, duke bërë rezistencë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA