I promovuar fort nga mazhoranca dhe analistë të ndryshëm, Xhezair
Zaganjori e ka marrë seriozisht kandidimin e tij për postin e
Presidentit të Republikës.

Duke dalë nga rezerva e tij institucionale si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, zoti Zaganjori ngjiti të premten shkallët e selisë së Partisë Socialiste për t’u takuar me kryetarin Edi Rama në orën 10.00 të paradites.

Takimin e kërkoi vetë dhe zoti Rama e priti për t’i treguar faktorëve vendas dhe ndërkombëtarë se nuk ka ndonjë kompleks të takohet me kandidatët për president, sic bëri edhe me Fatos Nanon. Takimi zgjati dyfishin e kohës së një takim protokollar, plot një orë. Në dalje, zoti Zaganjori bëri këtë koment:

“Kemi patur një njohje nga larg, thjesht u prezantuam me njëri-tjetrin nga afër. Unë i përshkrova arsyet që më kanë shtyrë që të marr vendimin për të kandiduar dhe që nuk e kam patur të lehtë, dhe kaq. Mendova që është në të mirën e debatit dhe procesit që po zhvillohet. Unë e kërkova takimin,Rama nuk më tha asgjë, nuk i kërkova mbështetje dhe nuk kishte detyrim të më përgjigjej”.

Pas zotit Zaganjori selinë e Partisë Socialiste e la edhe kryetari Rama, që u nis për të marrë pjesë në një aktivitet me rastin e 1 Qershorit. Detajet mbi takimin dhe qëndrimin e zotit Rama u bënë të ditura nëpërmjet një komunikate të zyrës së shtypit të Partisë Socialiste.

Sipas njoftimit, kryetari Rama e priti zotin Xhezair Zaganjori me kërkesën e këtij të fundit. Kryesocialisti dëgjoi me vëmendje gjithë çfarë dëshironte t’i shprehte zoti Zaganjori lidhur me paraqitjen e emrit të tij nga ana e qeverisë si kandidat potencial për President i Republikës. Sipas njoftimit zori Rama i tha zotit Zaganjori se Partia Socialiste vazhdon të kërkojë një proces deri këtu të munguar, ku të gjitha palët parlamentare të përfshihen në një dialog konstruktiv.

Për Partinë Socialiste mbetet shumë e qartë se nga një proces dialogu konkret mes qeverisë dhe opozitës, dhe konsultimesh intensive mes palëve parlamentare duhet të shkohet drejt emrit të Presidentit të ri të Republikës, dhe jo anasjelltas. Prandaj edhe Partia Socialiste nuk do ta mbështesë në asnjë rast një kandidaturë të paraqitur pa proces dhe në rrugë krejt të njëanshme nga qeveria. Kjo, theksoi kryesocialisti gjatë takimit, vlen konkretisht qoftë për kandidaturën e zotit Xhezair Zaganjori, qoftë për çdo kandidaturë që do të paraqitej nga qeveria nëse mungojnë dialogu konkret dhe konsultimet e domosdoshme për gjetjen e një kandidati apo kandidateje të dakordësuar mes qeverisë e opozitës.

Pas takimit me zotin Rama, zoti Zaganjori u takua edhe me kryetarin e PDIU-së Shpëtim Idrizi, në një lokal të periferisë së Tiranës, larg syve të mediave. 

Ish të përndjekurit kundër Zaganjorit

Një prej shoqatave të ish të përndjekurve politikë është deklaruar kundër propozimit të mazhorancës për të qenë gjykatësi Xhezair Zaganjori një nga kandidatët për President.

Ata thanë se duhet të zgjidhet një figure pa lidhje me komunizmin dhe dikaturën.

“Ne jemi kundër kandidaturës me suport komunist për president të Republikës. Ka 21 vite që kjo klasë politike po sjell ne funksionet shtetëre, vetëm individë me prejardhje komuniste. A kanë moral këta që i kanë shërbyer diktaturës të kandidojnë për drejtimin e shtetit? Prandaj apeli ynë është, zoti Zaganjori, apo disa emra të tjerë që janë servirur për kryetarë shteti, të kenë kurajon dhe ndërgjegjjen, që të mos pranojnë kandidimin e tyre se nuk e meritojnë moralisht, se i kanë shërbyer diktaturës komuniste”, thotë Besim Ndregjoni, sekretar i Përgjithshëm i SHMIBPPSH.

AKZ: Jo Zaganjorit president

Aleanca Kuq e Zi deklaroi të premten se zoti Xhezair Zaganjori nuk mund të jetë presidenti i ardhshëm i Shqipërisë.

Sipas kësaj partie, si anëtar i Gjykatës Kushtetuese ai votoi pro marrëveshjes së Shqipërisë me Greqinë për ujërat detare kur çështja u ankimua në këtë gjykatë.

“Aleanca Kuq e Zi publikon faktet kundër zotit Xhezahir Zaganjori. Me vendim të Gjykatës Kushtetueses, ai ka votuar kundër pranimit të kërkesës së çështjes. AKZ ka denoncuar marrëveshjen e kryeministrit Berisha me Greqinë, si një njollë e zezë”, ka deklaruar Aleanca.

Top Channel